Njoftime për shpallje konkurrimi për vend të lirë pune

NJOFTIM PËR SHPALLJE KONKURRIMI PËR LËVIZJE PARALELE EKONOMISTE

 

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË

PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Nr.____Prot.                                                                                                         Tiranë, më 11/01/2020

NJOFTIM

PËR SHPALLJE KONKURRIMI PËR LËVIZJE PARALELE

Bazuar ne ligjin nr. 98/2016 datë 06.10.2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, Vendimin e KLGJ nr. 622 datë 10.12.2020 “ Për lëvizjen paralele, ngritjen në detyrë dhe pranimin në shërbimin civil gjyqsor”, shkresën e KLGJ me nr. 16 prot, datë 05.01.2021 “Mbi procedurën e rekrutimit”,shkresës së KLGJ-së me nr. 1671 prot., datë 09.03.2020, me lëndë: “Mbi miratimin e shtesës në organikën e gjykatës”, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, shpall konkurrimin për 1 (një)  vend të lirë pune për lëvizje paralele, si më poshtë

- Për 1 (një) vend, në pozicionin Ekonomiste (Specialist prokurimesh & magazine në degën e buxhetit), pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

- Kërkesa të përgjithshme, kandidati duhet të plotësoj të gjitha kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimin civil, sipas nenit nr. 55, 56 të ligjit nr. 98/2016 datë 06.10.2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe kushtet e veçanta sipas neneve 44 e 45 të ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Përshkrimi i përgjithshëm i punës për pozicionin Ekonomiste (Specialist prokurimesh & magazine në degën e buxhetit),  është si  më poshtë:

  • Përgjigjet për sigurimin e të dhënave, në bazë të fondeve dhe kërkesave të nevojshme të përgatitura  nga strukturat përkatëse të ngritura në institucion dhe përgatit  regjistrin  e parashikimit të prokurimeve publike;
  • ndjek dhe monitoron periodikisht gjatë gjithë vitit realizimin e regjistrit të prokurimeve publike të miratuar nga titullari;
  • harton dhe merr pjesë në përgatitjen e dokumentacionit të tenderave deri në realizimin e kontratës;
  • sqaron operatorët pjesmarrës në tendera mbi çdo paqartësi që mund të kenë gjatë hartimit të ofertave në lidhje me dokumentacionin teknik të vënë në dispozicion nga autoriteti kontraktor;
  • ka për detyrë të ruajë fshehtësinë e shqyrtimit të dokumentacionit të paraqitur nga shoqëritë pjesëmarrëse në tender deri në momentin e komunikimit zyrtar të fituesit nga Titullari i Autoritetit Kontraktues dhe nënshkrimit të kontratës;
  • mban të azhornuar listën e çmimeve dhe kontrollon në çdo kohë projektet dhe preventivat, analizat e çmimeve që kanë të bëjnë me prokurime publike të infrastrukturës, ndërtimeve, shërbimeve dhe blerje te mallrave;
  • relaton pranë titullarit për problemet e hasura gjatë zhvillimit te prokurimeve, bën propozime konkrete për zgjidhjen e tyre duke respektuar legjislacionin në fuqi;
  • përgjigjet për hartimin dhe dërgimin e njoftimeve për botim brenda afateve kohore;
  • për hartimin dhe miratimin e urdhërave të prokurimit;
  • për mbledhjen e të gjitha materialeve të nevojshme që u bashkëlidhen dokumenteve të tenderit (si për shembull, hartat, skicat, planet);
  • zbaton detyrat e lëna nga titullari dhe organet e tjera KLGJ, KPP etj.;
  • në përfundim të procedurës së prokurimit publik harton draft-kontratën që do të lidhet me operatorin ekonomik fitues dhe e dërgon atë për miratim;
  • kryen në mënyrë elektronike njoftimet, modifikimet, arshivimet, etj. sipas kërkesës;
  • mban lidhje të vazhdueshme me Agjencinë e Prokurimit Publik dhe institucione të specializuara për zgjidhjen me efikasitet të problemeve ligjore që lindin gjatë procedurave të prokurimit public;
  • mban kontakte të rregullta me anëtarët e komisionit të propozuar nga titullari i autoritetit kontraktues dhe i vë në dijeni për datën, vendin dhe orën në të cilën do të mblidhet komisioni i vlerësimit të ofertave;
  • kryen funksione të karakterit ndihmës, si mbajtja e procesverbalit, sistemimi dhe ruajtja e dokumenteve etj;
  • kryen inventarizimin e dosjes te procedurave te prokurimit publik dhe kujdeset për dorëzimin e tyre në arkivin e gjykatës  në mënyrën dhe në afatin e parashikuar në ligj;
  • zbaton detyrat e lëna nga titullari dhe relaton mbi aktivitetin e sektorit të njësisë së prokurimit dhe dorëzon raport me shkrim;
  • administron në mënyrë të vazhdueshme procesin e prokurimit publik dhe vepron neë bazë të urdhërave të titullarit për përdorimin e kodit te institucionit në faqen e internetit www.app.gov.al;
  • përgjigjet për administrimin e procesverbaleve për dokumentet e tenderit dhe çdo dokument tjetër, që lidhet me procedurat e përcaktimit të fituesit duke përfshirë edhe procesverbalet e mbledhjeve, si dhe llogaritjen e çmimeve te shitjes së dokumenteve të tenderit;
  • përgjigjet për hartimin e dokumenteve të tenderit, kërkesat për kualifikim dhe kriteret e vlerësimit;
  • kryen dokumentimin e të gjithë lëvizjes së aktiveve dhe regjistrimin e të gjithë veprimtarive ekonomike në programin financiar në përdorim të njësise, duke kontrolluar dhe verifikuar ligjshmërinë e dokumentave autorizuese, vërtetuese, faktike sipas gjurmëve të menaxhimit të aktiveve sipas përgjegjësisë, gjurmës së inventarizimit fizik, gjurmës për marrjen në dorëzim të aktiveve, gjurmës për vlerësimin dhe nxjerrjen jashtë përdorimit të aktiveve;
  • është nënpunës civil dhe është në varësi direkte të Kryetarit të Degës së Buxhetit;
  • merr pjesë dhe në komisione të tjera të krijuara nga titullari i gjykatës siç është dhe komisioni për marrjen në dorëzim dhe asgjësimin e provave materiale, komisoni për hartimin e PBA, etj. dhe kryen dhe detyra të tjera operative në përputhje me rregulloren e brendshme dhe aktivitetin e njësisë)
  • veprime të tjera të parashikuara nga ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në RSh” dhe atë “Për menaxhimin  dhe kontrollin financiar”, si dhe detyra që delegohen nga ana e Kryetarit të Degës së Buxhetit, etj.

Kushtet për lëvizjen paralele për pozicionin e punws ekonomiste sipas nenit 7 të Vendimit  nr. 622 datë 10.12.2020 të KLGJPër lëvizjen paralele, ngritjen në detyrë dhe pranimin në shërbimin civil gjyqsor”, janë si më poshtë:

  • Të jetë nëpunës civil gjyqsor i konfirmuar, brenda së njëjtës  kategori për të cilën aplikon
  • Të mos ketë masë disiplinore në fuqi
  • Të ketë të paktën vlerësimin e fundit “Mirë”.

Kërkesat e veçanta për pozicionin Ekonomiste,  janë si më poshtë :

  • të jenë diplomuar të paktën në nivelin “Master shkencor” në shkencat ekonomike dhe financiare, ose të barasvlershëm me të, sipas përcaktimeve të legjislacionit të arsimit të lartë,
  • të njohë legjislacionin mbi financat, kontrollin e brendshëm, prokurimet,
  •    të kenë kryer të paktën një vit praktikë në profesionin e fianancierit apo ekonomistit, të ketë marrë pjesë në procedura prokurimi, përvoja e punës në degët e buxhetit në Gjykata ka përparësi.
  • të ketë aftësi të mira komunikimi dhe të punës në grup;
  • të mos ketë masa disiplinore në fuqi, ose të mos jetë në proçedim disiplinor;
  • të japin pëlqimin për plotësimin e kushteve të sigurisë  të  caktuar me ligj të veçantë të GJKKOK. sipas formularëve  B2, B3 të përcaktuar në ligjin nr. 95/2016 “Për Organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” dhe nenin 41 te VKLGJ nr. 622 date 10.12.2020.

-Kandidati duhet të paraqes zyrtarisht, brenda datës 28.01.2021, pranë kryesekretarisë së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dokumentat e mëposhtëm:

  • Kërkesë motivimi për aplikim në vendin e punës që konkuron.
  • CV.
  • Fotokopje të noterizuar të diplomës dhe listës së notave.
  • Fotokopje të librezës së punës,
  • Fotokopje të çertifikatave të trajnimeve apo kualifikimeve (nëse ka).
  • Dokument të gjuhës së huaj.
  • Vërtetim të gjendjes shëndetsore (raport i aftësisë në punë).
  • Vërtetim i gjendjes gjyqësore (formulari i vetdeklarimit të gjëndjes gjyqësore).
  • Kontaktet (numër telefoni dhe adresë email) dhe adresën e plotë të vendqëndrimit.
  • Fotokopje e kartës së identitetit.
  • Vërtetim banimi.
  • Formularët e deklarimit te pasurise dhe formularet A, B2, B3 të përcaktuar në ligjin nr. 95/2016 “Për Organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” dhe nenit 41 te VKLGJ nr. 622 date  10.12.2020 me anë të të cilave jep  pëlqimin për plotësimin e kushteve të  sigurisë.(formularet gjenden te publikuar  bashkengjitur ketij njoftimi )

Mosparaqitja e plotë e dokumentacionit  të kërkuar si dhe mosdhënia e pëlqimit për  për plotësimin e kushteve të sigurisë sipas Ligjit nr. 95/2016 “Për Organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” sjell skualifikimin e kandidatit.

Konkurrimi zhvillohet në këto  faza:

  1. Verifikimi paraprak, i përmbushjes së kushteve minimale për pozicionin e punës dhe kërkesave të veçanta në shpalljen për konkurrim, do të kryhet brenda datës 29.01.2021, në ambientet e Gjykatës, në faqen zyrtare të gjykatës www.gjp.gov..al dhe atë të Këshillit të Lartë Gjyqsor, dhe brenda datës do të shpallet lista e kandidatëve që plotësojnë kushtet e përgjithshme dhe të veçanta në shpalljen për konkurrim dhe listat e atyre që nuk i plotësojnë si dhe arsyet e moskualifikimit.

  1. Vlerësimi profesional i kandidatëve do të bëhet me datën 2.02.2021 ora 12:00, në ambientet e Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin  dhe Krimin e Organizuar, Salla e Mbledhjeve, Kati III i Gjykatës, si më poshtë;

      • 40 pikë për vlerësimin në punë
      • 50 pikë për vitet e përvojës  profesionale  në pozicionin përkatës
      • 10 pikë pwr trajnimet dhe kualifikimet në fushën përkatëse

  • Fusha e njohurive, aftësitë dhe cilësitë që do të vlerësohen në intervistë janë :

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e ndryshuar: Ligji nr. 98/2016 “ Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”; Ligji nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, Ligji nr. 96/2016 “ Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”; Kodi i Procedurës Penale; Kodin e Procedurës Civile; ligji nr. 9131 datë 08.09.2003 “ Për rregullat e etikës në Administratën Publike”.

Vlerësimi i kandidateve do të bëhet sipas kërkesave të ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.

Data e daljes së rezultateve do të jetë  03.02.2021 dhe do të publikohet në faqen zyrtare të gjykatës www.gjp.gov..al dhe atë të Këshillit të Lartë Gjyqsor,

Njoftimi dhe komunikimi për kandidatët do të jetë nëpërmjet telefonit dhe adresës së e-mail të kandidatit

GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË

PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Rr. “Jordan Misja”, Nr.1, Tiranë, Telefon 042231528, faks 042231527, sekretaria@gjp.gov.al