Vendime të Këshillit të Gjykatës së Posaçme

VENDIM

Logo koka dokumentit

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË
PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Nr.27 Prot.                                                                                           Tiranë, më 08.11.2021

VENDIM

Nr. 27, datë 08.11.2021

 

Mbi rezultatet e procedurës së konkurimit, për pozicionin arkivist, pranë Gjykatës Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë.

Mbështetur në nenet 38, 39, 41, 60, të ligjit nr. 98/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, në Vendimin nr. 622 , datë 10.12.2020, e Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për  lëvizjen paralele, ngritjen në detyrë dhe pranimin në shërbimin civil gjyqësor”, Udhëzimin nr. 85, datë 08.09.2021, të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për procesin e plotësimit të vendeve të lira në shërbimin civil gjyqësor nëpërmjet proçedurës së lëvizjes paralele, ngritjen në detyrë dhe pranimin në shërbimin civil gjyqësor”, si dhe Vendimin nr. 19, datë 22.06.2021, GJKKO, filloi procedurat për plotësimin e 1 (një) pozicioni vakant “Arkivist, si vijon:

  1. Procedura e ndjekur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

  1. Me njoftimin e datës 25.06.2021, u shpall vakanca për një pozicion të lirë pune, “Arkivist” pranë kësaj gjykate nëpërmjet lëvizjes paralele dhe pranimit në shërbimin civil gjyqësor.  Ky njoftim u publikua në faqen e web-it të KLGJ-së dhe të Gjykatës, si dhe ju dërgua të gjitha gjykatave, për publikim. Pas kryerjes së veprimeve paraparake të parashikuara në nenet 4 dhe 5, të Vendimit nr. 622 , datë 10.12.2020, e Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për  lëvizjen paralele, ngritjen në detyrë dhe pranimin në shërbimin civil gjyqësor”, në referencë të nenit 6, të këtij Vendimi, në kushtet kur, brenda datës 09.07.2021, nuk u paraqit për konkurim asnjë kandidaturë nëpërmjet lëvizjes paralele, Kancelari kreu publikimin e Njoftimit nr. 947 Prot., datë 15.07.2021 “Për përfundimin e procedurës së lëvizjes paralele në pozicionin arkivist” dhe vendi vakant ishte i vlefshëm për konkurrimin nëpërmjet procedurës së pranimit në shërbimin civil gjyqësor.

  1. Në përfundim të afatit të dorëzimit të dokumentave për pranimin në shërbimin civil gjyqësor (në datën 16.07.2021), rezultoi se, kishin dorëzuar dokumentacion për aplikim për këtë pozicion dy kandidatë, përkatësisht znj. Rozeta Ramaj dhe z. Kastriot Kullaj. Pas shqyrtimit dhe verifikimit paraprak të dokumentacionit të dy kandidatëve, Kancelari i gjykatës, konstatoi se, në zbatim të nenit 25/3/ç të Vendimit nr.622, datë 10.12.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për lëvizjen paralele, ngritjen në detyrë dhe pranimin në shërbimin civil gjyqësor”, në dokumentacionin e paraqitur, mungonin Formularët e deklarimit te pasurisë dhe formularët A, B2, B3 të përcaktuar në ligjin nr. 95/2016 “Për Organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, si dhe në nenin 41 të Vendimit të KLGJ-së, nr. 622 datë 10.12.2020, me anë të të cilave kandidati jep pëlqimin për kontrollin e verifikimit të pasurisë dhe të figurës, dhënien e pëlqimit për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, si dhe dhënien e pëlqimit prej anëtareve të afërm të familjes, për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake. (Formularët gjendeshin të publikuar bashkëngjitur njoftimit).

Ky kriter ishte përcaktuar edhe në njoftimin e datës 25.06.2021, Për shpallje konkurimi për levizje paralele dhe pranimin në Shërbimin Civil Gjyqësor në kategorinë ekzekutive Arkivist/e”, (faqa 6 e njoftimit, rubrika: Kushtet që duhet të plotesojë kandidati, tek: Kriteret e veçanta), të shpallur nga gjykata në faqen tonë të web-it, si dhe në faqen zyrtare të KLGJ-së. Ky ishte një kusht i paplotësuar nga ana e kandidatëve, i përcaktuar në Rubrikën: Dokumentacioni, mënyra dhe afati i dorëzimit, (faqe 5-6 e njoftimit).

Në faqen 6 të Njoftimit, përcaktohej: Mosparaqitja e plotë e dokumentacionit  të kërkuar sjell skualifikimin e kandidatit.

Gjithashtu rezultoi se kandidatja Rozeta Ramaj nuk plotësonte as kriterin e veçantë të kualifikimit në lidhje me eksperincën profesionale.  

  1. Sa më sipër, në zbatim të neneve 27-28 të Vendimit nr.622, datë 10.12.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor "Për lëvizjen paralele, ngritjen në detyrë dhe pranimin në shërbimin civil gjyqësor”, iu bë me dije secilit prej kandidatëve se, nuk ishin kualifikuar për vazhdimin më tej të konkurrimit. 

Në zbatimit të nenit 29 të vendimit të sipërcituar të KLGJ-së, kandidatëve iu bë me dije gjithashtu, se ata kishin të drejtën e ankimit, ndaj vlerësimit të Kancelarit, me postë ose elektronikisht në Këshill, brenda 2 (dy) ditëve nga marrja e këtij njoftimi.  

  1. Në datën 23.07.2021, njëri prej kandidatëve të skualifikuar, z. Kastriot Kullaj, paraqiti ankim pranë Këshillit të Gjykatës.

  1. Ankimi i paraqitur nuk u morr në shqyrtim brenda aftit dy ditor, nga ana e Këshillit për shkak të mos mbledhjes së Këshillit, si pasojë e pushimeve vjetore.

  1. Me njoftimin nr. 947/2 Prot., datë 24.07.2021, kancelari njoftoi Këshillin e gjykatës për pezullimin e procedurës së pranimit në shërbimin civil gjyqësor, për arsye objektive pasi Zëvendëskryetarja Irena Gjoka ishte me leje të zakonshme (nga data 19.07.2021 deri në datën 30.08.2021) dhe gjyqtarja tjetër Iliriana Olldashi me cilësinë e anëtares së Këshillit, fillonte lejen e zakonshme nga (data 2.08.2021 deri në datën 13.09.2021)

  1. Sa më sipër, nga ana e Kancelarit me shkresën nr.1079 Prot., datë 08.09.2021, për të vazhduar me procedurën, ju kërkua mendim Këshillit të Lartë Gjyqësor, në qoftë se, në mbledhjen e Këshillit për shqyrtimin e ankesës duhet të ishte pjesëmarrës Kancelari i gjykatës, pasi ai ishte shprehur njëherë me vendimmarrje për rastin dhe në këto kushte, nëse ndodheshim para rastit të konfliktit të interesit.

  1. Në përgjigje të shkresës së sipërcituar të Kancelarit, KLGJ, dërgoi përgjigje nëpërmjet shkresës nr. 3999/1 Prot., datë 15.09.2021, ku bëri të ditur vlerësimin e saj për mosmarrjen pjesë të Kancelarit, si pjesëtar i Këshillit të Gjykatës për shqyrtimin e ankimit në procesin e verifikimit të ankimit mbi rezultatin e verifikimit paraprak të përmbushjes së kritereve të përgjithshme dhe të veçanta për procedurën e pranimit në shërbimin civil gjyqësor për një vend vakant në pozicionin Arkivist/e.

  1. Me shkresën nr. 1147 prot., datë 22.09.2021, GJKKO kërkoi nga ana e KLGJ-se që në kushtet e pengesës së Kancelarit në përbërje të Këshillit në shqyrtimin e rastit konkret, bazuar në pikën 7, të Vendimit nr. 71, datë 20.05.2019 “Për procedurën e funksionimit të mbledhjes së Këshillit të Gjykatës”, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të caktohej një nëpunës civil i nivelit të lartë i këtij institucioni, si anëtar të Këshillit të Gjykatës.

  1. Me shkresën nr. 4296/1., datë 08.10.2021, lënda: Kthim përgjigje, KLGJ, caktoi Znj. Maela Alicanaj me detyrë Drejtore e Departamentit të Shërbimeve Juridike dhe Marrëdhënieve me Jashtë, me cilësinë e anëtarit të Këshillit. 

  1. Me Vendimin nr. 22, datë 20.10.2021, Këshilli i Gjykatës vendosi pranimin e ankimit të kandidatit Kastriot Kullajj ndaj rezultatit të verifikimit paraprak sipas Kancelarit dhe vijimin me fazën e vlerësimit me shkrim nga Komisioni i Pranimit.

  1. Me njoftimin nr. 947/3 Prot, datë 21.10.2021, të Kancelarit, “Njoftim mbi rezultatet e verifikimit paraprak në shërbimin civil gjyqësor në pozicionin arkivist”, u bë me dije Kandidati, z. Kullaj, për datën, orën dhe vendin e zhvillimit të vlerësimit profesional nga ana e tij.

  1. Në bazë të nenit 26, të Vendimit nr 622, datë 10.12.2020, me shkresën nr. 1300 Prot., datë 22.10.2021, u kërkua nga ana e KLGJ-së, caktimi i një përfaqësuesi ekspert i fushës së njohurive mbi Arkivën, në Komisionin e Pranimit në procedurën e pranimit në shërbimin civil gjyqësor, për pozicionin e 1 (një) vendi vakant arkivist/e, pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Data e konkurrimit e caktuar në njoftimet e shpallura, dërguar KLGJ-së dhe të publikuara edhe në faqen e web-it të gjykatës, ishte 03.11.2021.

  1. Me shkesën nr.4917/1 Prot., datë 01.11.2021, nga ana e KLGJ-së u kthye përgjigje pr sa më sipër dhe u caktua si anëtare në Komisionin e Pranimit Znj. Etleva Vila, me detyrë Shefe Sektori i Protokoll Arkivës, Drejtoria e Shërbimeve Administrative pranë KLGJ-së.

  1. Mbështetur në nenin 26 të Vendimit nr. 622/2020 të KLGJ-së,  me Vendimin nr. 26, datë 03.11.2021, Këshillit të Gjykatës, vendosi ngritjen e Komisionit të Pranimit, për në shërbimin civil gjyqësor, për pozicionin vakant për 1 (një) Arkivist. nëpërmjet të cilit  u ngrit Komisioni i Pranimit.

  1. Në vijim, mbështetur në nenin 30 të Vendimit nr. 622/2020 të KLGJ-së, Komisioni i Pranimit procedoi me fazën e testimit me shkrim, për kandidatin e kualifikuar nga faza e verifikimit paraprak. Në datën 03.11.2021, në përfundim të testimit me shkrim, Komisioni i Pranimit mori në vlerësim rezultatin e kandidatit, si vijon:

TabelaVlerësimi i testimit me shkrim

Nr.

Kandidati

Vlerësimi i testimit me shkrim (pikët maksimale 60 pikë)

1.

Kastriot Kullaj

57 pikë

Në kushtet kur, minimumi i pikëve për kualifikim dhe kalim në fazën vijuese është 42 pikë[1], Komisioni i Pranimit vendosi që të kualifikohet për në fazën tjetër kandidatin Kastriot Kullaj, i cili u vlerësua me 57 pikë. Në vijim, mbështetur në Vendimin nr. 622, datë 10.12.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, me njoftimin nr. 227/1 Prot., datë 03.11.2021 u njoftua kandidati për rezultatin e vlerësimit me shkrim nga Komisioni i Pranimit, si dhe u njoftua ai për vlerësimin profesional nëpërmjet zhvillimit të intervistës së strukturuar me gojë.

  1. Vlerësimi i Këshillit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Mbështetur në nenin 60 të ligjit nr. 98/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në referencë të nenit 32, të Vendimit nr. 622, datë 10.12.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për lëvizjen paralele, ngritjen në detyrë dhe pranimin në shërbimin civil gjyqësor”, Këshilli i Gjykatës kreu vlerësimin profesional të kandidates së kualifikuar, duke u mbështetur në kriteret e mëposhtëme:

  1. renditjen në listën e kandidatëve, sipas pikëve të vlerësimit me shkrim nga KP; 
  2. 25 pikë për karakteristikat e veçanta të kandidatit në bazë të intervistës së strukturuar me gojë;
  3. 15 pikë për vitet e përvojës profesionale në sektorin e drejtësisë ose përvoja të tjera profesionale që lidhen me vendin përkatës.

Në datën 05.11.2021, Këshilli i Gjykatës zhvilloi një intervistë të strukturuar me  Z. Kastriot Kullaj, i cili ishte i vetmi kandidat i kualifikuar për fazën e intervistës. Për vlerësimin e tij në tërësi, Këshilli pati në vëmendje renditjen në listën e kandidateve, çdo karakteristikë të veçantë të kandidatit, kriterin e arsimimit dhe të kualifikimin, vitet e përvojës profesionale në sektorin përkatës në lidhje me pozicionin e punës së Arkivistit, ose përvoja të tjera profesionale, që lidhen me këtë pozicion pune.

Për sa më sipër, pas kryerjes së intervistës së strukturuar, me gojë, mbështetur në vlerësimin e testimit me shkrim, si dhe vlerësimit në tërësi të kritereve respektive, Këshilli i Gjykatës, bëri vlerësimin e kandidatit si më poshtë vijon:

Tabela- Vlerësimi përfundimtar i kandidatit, nga Këshilli:

Nr.

Kandidatët

Vlerësim i testimit me shkrim (pikët maksimale 60 pikë)

Vlerësimi i intervistës së strukturuar me gojë (pikët maksimale 40 pikë)

Totali

1.

Kastriot Kullaj

57 pikë

25 pikë

82 pikë

Në bazë të vlerësimit përfundimtar të kandidates, Këshilli i Gjykatës gjykoi dhe vlerësoi se z. Kastriot Kullaj plotëson të gjitha kushtet e vendosura për pozicionin “Arkivist” pranë Gjykatës së Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,

PËR KËTO ARSYE

Mbështetur në vlerësimin e mësipërm, si dhe në referencë të nenit 60 të ligjit nr. 98/2016, datë 06.10.2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe nenit 33, të Vendimit nr. 622 , datë 10.12.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për lëvizjen paralele, ngritjen në detyrë dhe pranimin në shërbimin civil gjyqësor”,

Këshilli i Gjykatës së Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar,

V E N D O S I :

  1. Z. Kastriot Kullaj të shpallet fitues, për pozicionin “arkivist”, pranë Gjykatës së Posaçme Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

  1. Vendimi t’i njoftohet kandidatit fitues dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, si dhe të publikohet në faqen e web-it të gjykatës.

  1. Ngarkohet Kancelari i gjykatës për zbatimin e këtij vendimi.

  1. Ngarkohet specialisti IT për publikimin e këtij vendimi

Ky Vendim hyn në fuqi menjëherë.

KËSHILLI I GJYKATËS

Anëtar/Gjyqtare                          Kryetar/Zëvendëskryetare                       Anëtar/Kancelari

   Etleva DEDA                                     Irena GJOKA                                   Saimir SHYTI
 

[1] Mbështetur në pikën 2, të nenit 30, të Vendimit nr. 622, datë 10.12.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, “Për lëvizjen paralele, ngritjen në detyrë dhe pranimin në shërbimin civil gjyqësor” ku parashikohet : “Kandidati që grumbullon mbi 70% të pikëve nga vlerësimi me shkrim (42 pikë), kualifikohet për intervistën e strukturuar me gojë nga Këshilli”.