NJOFTIM PUBLIK
Me qëllim të një komunikimi korrekt institucional dhe me synimin e informimit të publikut dhe mediat përgjatë periudhës 18 Maj 2020 e në vazhdim të COVID-19 Gjyqtari për media, i juridiksionit të gjykatave të posaçme për korrupsionin dhe krimin e organizuar,
duke vërejtur se OBSH ka deklaruar epideminë COVID- 19 një emergjencë të shëndetit publik të rëndësisë ndërkombëtare, klasifikuar nga vetë OBSH në datë 11.03.2020 si pandemi,
konsideruar që si rrjedhojë e deklarimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore[1] të rrezikut shëndetësor, Akti Normativ nr. 9 datë 25.03.2020[2], urdhëron marrjen e masave për të shmangur grumbullimet në ambientet e gjykatave;
duke vërejtur se, për shkak të masave të marra nuk lejohet pjesëmarrja e publikut dhe e medias në ambientet e brendshme të gjykatave, çka mund të ndikojë në informimin e publikut dhe medias në lidhje me veprimtaritë e gjykatës;
duke kuptuar se transparenca dhe kuptueshmëria e veprimtarisë gjyqësore përfaqësojnë vlera të padiskutueshme në një shtet të së drejtës, sepse zhvillon kontrollin e opinionit publik mbi korrektësinë e funksionimit të Drejtësisë;
duke pasur në konsideratë Rekomandimin Rec(2010)12 të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës të Shteteve anëtare, marrë më 17 nëntor 2010, i cili nënvizon interesin e publikut në themel të procedimeve gjyqësore dhe të çështjeve në lidhje me administrimin e drejtësisë;
duke kuptuar se nevojitet të adoptohen procedura për të garantuar një informacion korrekt mbi vendimet e marra nga gjykata përgjatë kësaj periudhe;
duke mbajtur në konsideratë respektimin e prezumimit të pafajësisë, të privatësisë dhe dinjitetit të personave të përfshirë, të së drejtës së të pandehurit për të mos marrë nga shtypi atë që duhet të njohë në mënyrë të rezervuar;
konsideruar që udhëzimi nr. 146 datë 27.04.2020 i Këshillit të Lartë Gjyqësor orienton marrjen e masave alternative të komunikimit me publikun;
e motivuar, nga parimi i transparencës, i cili është vital për një funksionim efiçent të sistemit gjyqësor si dhe bazuar në nenin 46 të Ligjit 98/2016, me qëllim t’i sigurohet medias dhe publikut informacion faktik rreth vendimeve gjyqësore, gjatë periudhës së pandemisë, Ju bën me dije se:
Do t`iu komunikohet në vijimësi përmbledhje e veprimtarisë së gjykatave në lidhje me planifikimin e seancave si dhe ecurinë e tyre, në rubrikën ‘ Njoftime për shtyp gjyqtari i medias Gj.k.k.o’ në faqen zyrtare të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e organizuar.
[1] Vendim i Këshillit të Ministrave nr.243, datë 24.3.2020 “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”
[2] Ligj nr. 30/2020 datë 16.4.2020, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 9, datë 25.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19”