Këndi informativ

Fjala hyrëse

Mirësevini në faqen zyrtare të Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Ju urojmë mirëseardhjen në faqen e re të internetit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar filloi funksionin me datën 19 dhjetor 2019, mbi bazën e Vendimit nr. 286, datë 18.12.2019 “Për fillimin e funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar “të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Në ndryshimet kushtetuese, të miratuara nëpërmjet ligjit nr. 76/2016 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8417, datë 21.10.1998, Kushtetuta e RSH-së”, ndër të tjera, në nenin 135 të tij, është parashikuar ngritja e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjykata e Posaçme gjykon veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të KM, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të KLGJ dhe të KLP, apo edhe akuzat ndaj ish-funksionarëve të mësipërm.

Pothuajse 4 vite nga ngritja dhe fillimi i funksionimit të GJKKO-së, pavarësisht shifrave dhe rezultateve konkrete që janë disponuar me vendimet përfundimtare të gjykatës, në dënimin e grupeve të krimit të organizuar dhe rasteve të korrupsionit në radhët e zyrtarëve në nivelet e larta, sfidat për trupën gjyqësore të GJKKO-së vijojnë të mbeten aktuale, por jo të pamundura për t u përmbushur.

Garantimi i pacënueshmërisë në krijimin e bindjes së brendshme të gjyqtarit, pavarësisht çdo lloj ndikimi dhe presioni të jashtëm apo të brendshëm, garantimi i një procesi të rregullt ligjor dhe transparent, si edhe një vendimmarrje që formësohet duke u bazuar vetëm në ligj dhe prova, janë baza dhe kufijtë mbi të cilat udhëhiqet veprimtaria e përditshme e trupës tonë gjyqësore. Ndër vite besojmë se kjo veprimtari do të unifikojë praktikat më të mira, me të cilat do të dëshironim të identifikohet një gjykatë që ktheu faqen e historisë në vendin tonë, duke çrrënjosur kulturën e pandëshkueshmërisë dhe siguruar përgjegjësinë para ligjit, për cilindo që ka guxuar ta shkelë atë. 

Të vetëdijshëm se kthimi i besimit në institucionet e gjyqësorit dhe perceptimi publik mbi efektivitetin e këtij pushteti, kërkon kohë dhe angazhim të përditshëm personal dhe profesional nga anëtarët e trupës gjyqësore aktuale, në emër të tyre, dëshiroj të garantoj njëzëri vullnetin tonë të hekurt për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, në garantimin e zbatimit të ligjit dhe dhënien e drejtësisë.

Ju ftoj që përmes kësaj faqeje të ndiqni çdo zhvillim, të monitoroni dhe të kërkoni informacion gjithëpërfshirës mbi aktivitetin gjyqësor dhe administrativ të GJKKO-së, në funksion të transparencës mbi të cilën operon kjo gjykatë dhe përmirësimit të gjithëanshëm të veprimtarisë së saj.

Duke ju falenderuar për interesin tuaj,

Irena Gjoka