PROGRAMI I TRANSPARENCËS PËR GJYKATËN E POSAÇME TË SHKALLËS SË PARË PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR
I. HYRJE
Në përputhje me nenin 7 të ligjit nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” është përgatitur programi i transparencës për Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Ky program përcakton kornizën ligjore të veprimtarisë së autoritetit në kuadër të ligjit nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” (LDI). Ky program vlerësohet si një mënyrë konkrete përmes së cilës Autoriteti Publik (Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar) ndërton dhe rrit transparencën në punën e tij institucionale, nën garancinë e LDI-së. Informacioni i bërë publik në këtë program, synon të bëjë transparencën e veprimtarisë së punës së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, nëpërmjet pasqyrimit të detajuar të tij në faqen zyrtare http://www.gjp.gov.al, si dhe në mjediset e pritjes së publikut në ekranin elektronik, në kioskën eletronike (touchscreen) të aksesit mbi programin e menaxhimit të çështjeve gjyqësore, këndin e informacionit, atë të njoftimeve. Programi i transparencës pasqyrohet në rubrika, tekste/përmbajtje, afat kohor për bërjen publike të tij, mënyrën e bërjes publike, si dhe strukturën përkatëse, e cila prodhon ose administron dokumentin. Në përmbajtje të programit të transparencës evidentohet skema e publikimit, e cila pasqyron menutë, ku adresohet dokumenti në faqen zyrtare në internet. Dokumentacioni i bërë publik, do të jetë i përditësuar në formë e përmbajtje.
Faqja zyrtare e GJKKO-së është ndërtuar në atë formë që mundëson informacion për publikun pa kërkesë në format lehtësisht të kuptueshëm.
Në rubrikat e faqes zyrtare pasqyrohen edhe informacione që karakterizohen nga kufizime të identifikimit të të dhënave personale për shkak të ruajtjes së privatësisë së individëve/subjekteve të të dhënave etj. Kjo në përputhje me dispozitat e Kodit të Proçedurës Penale, ligjin nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, ligjin nr. 9887 datë 10.03.2008, ndryshuar me ligjin nr. 48/2012 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, si dhe Udhëzimin nr. 15 datë 13.12.2011 të Komisionierit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, “Për përpunimin dhe publikimin e të dhënave personale në sistemin gjyqësor”. Skema e publikimit paraqitet nëpërmjet tabelës përmbledhëse të evidentuar në këtë program.
Faqja zyrtare e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është ndërtuar në atë formë që mundëson informacion për publikun pa kërkesë në format lehtësisht të kuptueshëm.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar zhvillon veprimtarinë e saj që nga dhjetori i vitit 2019, sipas ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka në kompetencën e saj tokësore të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe si qendër të ushtrimit të veprimtarisë së saj Tiranën. Kompetenca lëndore e GJKKO-së përcaktohet nga neni 75/a i K.Pr.P. dhe kryesisht fokusohet në veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur.
Kompetencat e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar
- Neni 244 i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
- Neni 244/a i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i nënpunësve të huaj publikë.
- Neni 245 i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë.
- Neni 245/1 i Kodit Penal: Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.
- Neni 257 i Kodit Penal: Përfitim i paligjshëm i interesave.
- Neni 258 i Kodit Penal: Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.
- Neni 259 i Kodit Penal: Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
- Neni 259/a i Kodit Penal: Korrupsioni pasiv i nënpunësve të huaj publikë.
- Neni 260 i Kodit Penal: Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë.
- Neni 312 i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit.
- Neni 319 i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë.
- Neni 319/a i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare.
- Neni 319/b i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj.
- Neni 319/c i Kodit Penal: Korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja.
- Neni 319/ç i Kodit Penal: Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë.
- Neni 319/d i Kodit Penal: Korrupsioni pasiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare.
- Neni 319/dh i Kodit Penal: Korrupsioni pasiv i arbitrit vendas dhe të huaj.
- Neni 319/e i Kodit Penal: Korrupsioni pasiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja.
Veprat penale në kuadër të organizatave kriminale
- Neni 28 i Kodit Penal: Forma të veçanta të bashkëpunimit.
- Neni 333 i Kodit Penal: Organizata Kriminale.
- Neni 333/a i Kodit Penal: Grup i strukturuar kriminal.
- Neni 334 i Kodit Penal: Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal.
- Akuzat penale kundër Presidentit të Republikes, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit te Ministrave, gjyqtarit të Gjykates Kushtetuese dhe te Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtesisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendesministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Keshillit të Lartë të Prokurorisë, dhe drejtuesve të institucioneve qëndrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj.
- Akuzat penale kundër ish-funksionarëve të mësipërm, kur vepra është kryer gjatë ushtrimit të detyrës.
Në fushën e veprimit të Gjykatës së Posaçme hyjnë dhe kërkesat për masë parandaluese në kuadër të ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”
Sipas Aktit Normativ Nr.1 datë 31.01.2020 “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit dhe sigurisë publike”.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është gjykata kompetente për shqyrtimin e kërkesave të Prokurorisë së Posaçme për masë parandaluese personale dhe pasurore sipas këtij Akti Normativ.
II. PARIME TË PËRGJITHSHME
Parimet kryesore në të cilat mbështetet Programi Transparencës së GJKKO-së janë:
- “E drejta për informim” është e drejtë Kushtetuese e parashikuar në nenin 23 të saj.
- “Prezumimi i publikimit maksimal të të dhënave”: GJKKO-ja ushtron funksione publike, për rrjedhojë informacioni që rrjedh nga veprimtaria e saj, për aq kohë sa nuk përbën informacion të klasifikuar dhe nuk kufizohet me ligje të tjera, publikohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
- Zbatimi korrekt i ligjit dhe dispozitave ligjore që rregullojnë në mënyrë të posaçme veprimtarinë e GJKKO-së si: Kodi i Proçedurës Penale, ligji nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, si dhe në përputhje me rregullimet e përcaktuara në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën për informim”, ligjin nr. 8457, datë 11.02.1999, “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror””, i ndryshuar, ligjin nr. 9887 datë 10.03.2008, ndryshuar me ligjin nr. 48/2012 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, si dhe akteve të tjerë nënligjore.
- Informacioni përshtatet në gjuhë të qartë e të kuptueshme.
- Organ mbikëqyrës i proçedurave të informimit publik është Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale” (këtej e tutje KDIMDP).
- Rishikimi i Programit të Transparencës bëhet sipas së njëjtës proçedurë, përmes së cilës është bërë miratimi i tij.
- Informacioni publik pa kërkesë duhet të jetë:
- I plotë
- I saktë
- I përditësuar
- I thjeshtë në konsultim
- I kuptueshëm
- Lehtësisht i aksesueshëm
- I pajtueshëm me dokumentet origjinale në posedim të autoritetit publik
III. INFORMACIONI QË BËHET PUBLIK PA KËRKESË.
Informacioni i lejuar për publikim është shprehimisht i parashikuar në nenin 7, të ligjit nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”. Në përputhje me këtë Program Transparence të miratuar, GJKKO-ja vendos në dispozicion të publikut në faqen e saj të internetit www.gjp.gov.al, kategoritë e mëposhtme të informacionit:
- Strukturën organizative të autoritetit publik;
- Tekstet e plota, të konventave që janë ratifikuar, të ligjeve, të akteve nënligjore, të kodeve të sjelljes, dokumente politikash, ose ndonjë dokument tjetër që ka lidhje me ushtrimin e funksioneve të tij dhe që prek publikun e gjerë;
- Informacion për proçedurat që duhen ndjekur për të bërë një kërkesë për informim, adresën postare dhe elektronike për depozitimin e kërkesave për informim, si dhe proçedurat e ankimit të vendimit përkatës;
- Të dhëna për vendndodhjen e zyrave të autoritetit publik, orarin e punës, emrin dhe kontaktet e koordinatorit për të drejtën e informimit;
- Të dhëna për arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarimin e pasurisë, sipas ligjit, strukturat e pagave për nëpunësit e tjerë, si dhe një përshkrim të proçedurave të zgjedhjes, kompetencave dhe detyrave të funksionarëve të lartë të autoritetit publik dhe proçedurën që ata ndjekin për të marrë vendime;
- Mekanizmat monitorues dhe të kontrollit që veprojnë mbi autoritetin publik, raportet e auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose subjekte të tjera, etj. ;
- Të dhëna për buxhetin dhe planin e shpenzimeve për vitin financiar në vijim dhe vitin paraardhës, si dhe çdo raport vjetor për zbatimin e buxhetit;
- Informacion për proçedurat e prokurimit, sipas parashikimeve të ligjit nr. 9643, datë 20.12.2006, “Për prokurimin publik”, që kryhen për llogari të autoritetit publik;
- Çdo mekanizëm dhe proçedurë për bërjen e kërkesave dhe ankesave, në lidhje me veprimet ose mosveprimet e autoritetit publik, proçedura, përmes së cilës personat e interesuar mund të
- paraqesin mendimet e tyre apo të ndikojnë në çfarëdo mënyre tjetër në hartimin e ligjeve, të politikave publike apo ushtrimin e funksioneve të GJKKO-së.
- GJKKO-ja, gjithashtu krijon dhe arkivon një kopje dixhitale të faqes zyrtare të saj në internet, të plotësuar me informacionin që kërkohet në programin e miratuar të transparencës, si dhe për metodat, mekanizmat dhe periodicitetin e publikimit të informacioneve publike, të cilat vihen në dispozicion të publikut pa kërkesë.
- Aktet, që përmbajnë rregulla, norma apo kufizime të të drejtave dhe lirive themelore të individit, si dhe me efekt të drejtpërdrejtë për ta, bëhen publike me anë të afishimit apo postimit në faqen zyrtare të internetit.
Informacioni i publikuar sipas kësaj skeme, përditësohet sa herë ai ndryshon.
IV. TABELA PËRMBLEDHËSE E PROGRAMIT TË TRANSPARENCËS SË GJKKO-së
Kategoritë e informacionit publik pa kërkesë |
Baza ligjore |
Dokumenti/Përmbajtja |
Afati kohor për publikim |
Mënyra e publikimit |
Struktura përgjegjëse |
Përshkrim i strukturës organizative, funksioneve dhe detyrave të autoritetit publik. |
Neni 7/1/a/d |
Historiku, Misioni, Struktura |
Menjëherë |
Në faqen zyrtare në menunë: ”Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, ”Organizimi dhe Struktura”. |
Kryetari i GJP-së. Adminstrata e GJP-së; |
Akte ndërkombëtare ligje; akte nën ligjore; dokument politikash; dokument tjetër. |
Neni 7/1/b |
Ligje/Akte nënligjore, Rregullore |
Pas hyrjes në fuqi |
Në faqen zyrtare në menunë: ”Lidhje me rëndësi”, ”Lidhje me legjislacionin”, si dhe ”Programi i transparencës” rubrika ”Të tjera”. |
Administrata e Gjykatës Sektori i Shërbimeve |
Informacion për proçedurat që duhen ndjekur për të bërë një kërkesë për informim, adresën postare dhe elektronike për depozitimin e kërkesave për informim, si dhe proçedurat e ankimit të vendimit përkatës. |
Neni 7/1/c/g |
Informacion sipas ligjit nr.119/2014, Format ankese, Format kërkese, Adresa: Rruga ”Jordan Misja”, Nr. 1, Tiranë. Tel/faks” 042231528/27 www.gjp.gov.al |
Pas miratimit nga titullari |
Rubrikë ”Programi i transparencës”, ”Regjistri i kërkesave dhe ankesave”. |
Koordinator i së drejtës për informim. |
Të dhëna për vendndodhjen e zyrave të autoritetit publik, orarin e punës, emrin dhe kontaktet e koordinatorit për të drejtën e informimit. |
Neni7/1/ç |
elsa.lita@gjykata.gov.al, Adresa postare: Rruga “Jordan Misja”, Nr. 1, Tiranë. Orari: e hënë; e premte; 08:00 ” 16:00. |
Pas miratimit nga Titullari |
Rubrika: ”Programi i transparencës”, ”Koordinatori për të drejtën e informimit” |
Koordinator i së drejtës për informim, Sektori i Shërbimeve. |
Përshkrim i proçedurave të zgjedhjes, kompetencave të funksionarëve të lartë dhe proçedura e ndjekjes për marrjen e vendimeve. |
Neni 7/1/d |
Referuar Ligjit Nr.98/2016, “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor ne Republikën e Shqipërisë”, Vendime të KLGJ-së Vendime të Gjykatës Kushtetuese, Akte ligjore/nënligjore |
Pas hyrjes në fuqi. |
Në faqen zyrtare në menunë: ”Lidhje me rëndësi”, ”Lidhje me legjislacionin”, si dhe ”Programi i transparencës” Rubrika "Të tjera”. |
Stafi drejtues i GJP-së dhe Dega e Buxhetit. |
Mekanizmat monitorues; raporte auditi; dokumentet me tregues performance |
Neni7/1/ dh |
Raporte Inspektimi (KLGJ, MD) Raporte Auditi (KLSH, ZABGJ) Analizat Vjetore të Punës së GJKKO-së. |
Përditësim periodik. |
Në menunë: ”Programi i transparencës” ”Rubrika të tjera”, si dhe menuja: ”Gjykata e Posaçme”,”Analiza Vjetore e Punës”. |
Stafi Drejtues i Gjykatës. |
Buxheti |
Neni 7/1/e |
Parashikimet e nenit 57 të ligjit 8737/2001 i ndryshuar. Ligji për buxhetin dhe akte nënligjore në zbatim të tij, Raporte për monitorimin e performancës |
Pas hyrjes në fuqi |
Menuja: ”Programi i transparencës” Rubrika ”Të tjera”, si dhe tek menuja Gjykata e Posaçme”, tek ”Analiza Vjetore e Punës”. |
Zyra e Buxhetit |
Informacion për proçedurat e prokurimit. |
Neni 7/1/ë |
Publikimi i Regjistrit të Prokurimeve |
Përditësim periodik në APP. |
Në faqen zyrtare të APP |
Zyra e Buxhetit. |
Shërbimet e autoritetit për publikun. |
Neni 7/1/f |
Kalendari i çështjeve, çështje në gjykim, çështje të përfunduara evidence statistikore. |
Përditësim periodik. |
Në faqen zyrtare në menunë: ”Këndi Informativ”. |
Punonjësja për Marrëdhëniet me Publikun Punonjësi i Informatikës (IT) |
Mbajtja (arkivimi) e dokumentacionit dixhital nga GJKKO-ja. |
Neni 7/1/h |
Kopje dixhitale të faqes zyrtare |
Pas miratimit nga titullari |
Menuja: ”Programi i transparencës”, Rubrika ”Të tjera” |
Sektori i Arkivimit, Sigurimit të Sistemeve të Komunikimit dhe Informacion it |
Regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve, sipas nenit 8 të ligjit nr.119/2014. |
Neni 7/1/i |
Formati i Regjistrit |
Menjëherë |
Menuja:”Programi i transparencës”, rubrika ”Regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve”. |
Koordinator i së drejtës për informim. |
Informacione dhe dokumente që kërkohen shpesh. |
Neni 7/1/k |
Datat dhe oraret e gjykimeve, vendime gjyqësore, kopje aktesh (në përputhje me dispozitat e K.Pr.P.), kopje CD, audio, etj. |
Përditësim periodik. |
Në faqen zyrtare në menunë: ”Këndi Informativ” |
Administrata e Gjykatës. |
Informacione të tjera të dobishme |
Neni 7/1/l |
Akte ligjore dhe nënligjorë për mbrojtjen e të dhënave personale, etj. |
Pas miratimit nga titullari |
Menuja:"Programi i transparencës", Rubrika ”Të tjera". |
Administrata e Gjykatës. |
V. PUBLIKIMI
Në përputhje me këtë program transparence të miratuar, GJKKO-ja vendos në dispozicion të publikut në faqen e saj të internetit www.gjp.gov.al, kategoritë e mësipërme, në një menu të veçantë të titulluar “Programi i Transparencës”.
VI. MONITORIMI
Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale monitoron zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit, duke nxitur parimin e transparencës në punën e autoriteteve publike, veçanërisht duke sensibilizuar dhe informuar për çështje të së drejtës së informimit. Komisioneri bën rekomandime për autoritetet publike, lidhur me konceptimin dhe zbatimin e programeve institucionale të transparencës.