Njoftime për shtyp gjyqtari i medias Gj.K.K.O

Njoftim për publikun

Gjyqtarja e Medias, Znj. Saida Dollani, më datë 20.10.2020, në Sallën e Mbledhjeve të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u takua me Kryetarin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Sandër Simoni dhe Zv/kryetaren e Gjykatës së Posaçme të Apelit Nertina Kosova. 

Takimi ndërmjet Gjyqtares së Medias me drejtuesit e Gjykatave të Posaçme u zhvillua si rrjedhojë i të një takimi të mëparshëm, - i iniciuar nga kërkesa e gazetares Klodiana Lala dhe organizuar më datë  14 tetor në Këshillin e Lartë Gjyqësor, nga z. Erjon Muharremaj, anëtar i Këshillit i caktuar për Marrëdhëniet me Median dhe Publikun,- ndërmjet gjyqtarëve për median të juridiksionit të tre gjykatave të apelit, Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Gjykatës së Apelit Administrativ dhe Gjykatës së Apelit Tiranë dhe gazetarëve të disa mediave, me fokusin e diskutimit “Mbi të drejtën  e informimit për veprimtarinë e sistemit gjyqësor”, si një zhvillim i ri i komunikimit për qasje në drejtësi dhe marrëdhëniet me publikun, ardhur nga parashikimet ligjore të paketës së Reformës në Drejtësi, për të garantuar që pushteti gjyqësor të jetë i pavarur, efikas, i besueshëm dhe transparent.

Gjatë takimit u diskutuan të gjitha problematikat e paraqitura nga gazetarët në lidhje me marrjen e informacionit rreth veprimtarisë së gjykatave në mënyrë të drejtpërdrejtë, në kushtet e masave kufizuese për shkak të pandemisë Covid-19. Si rezultat i  këtij takimi, u nxor ‘Urdhëri’ nr. 174 datë 21.10.2020, i Kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, drejtuar Kancelarit dhe në dijeni të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Burgjeve, nëpërmjet të cilit, duke u respektuar rregullat e sigurisë së shëndetit, përcaktuar ne Aktin Normativ nr. 9 datë 25.03.2020, i ndryshuar, si dhe rregullat për garantimin e sigurisë në mjediset e gjykatave të posaçme, përcaktuar me VKM nr. 479, datë 10.07.2019, lejohet hyrja dhe qëndrimi i gazetarëve dhe përfaqësuesve të medias në këtë Gjykatë në vendin e përcaktuar, Dhoma e Medias.  Gjithashtu, duke u verifikuar fakti se kalendari javor i seancave gjyqësore për Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar njoftohet publikisht dhe periodikisht në faqen zyrtare të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, www.gjp.gov.al, Gjyqtarja e Medias u impenjua për të njoftuar publikisht dhe periodikisht në rubrikën ‘Programi i Transparencës-Njoftime për shtyp gjyqtari i medias GJ.K.K.O’, kalendarin javor të seancave gjyqësore për Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, deri në funksionalizimin e faqes së internetit të Gjykatës, kalendar i cili nga data 26.10.2020 aksesohet lehtësisht nga të gjithë.