Njoftime për shpallje konkurrimi për vend të lirë pune

NJOFTIM PËR SHPALLJE KONKURRIMI PËR VEND TË LIRË PUNE

Logo koka dokumentit

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË
PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

 

Nr. 274/5 Prot.                                                                                                 Tiranë, më 22/12/2021

NJOFTIM

PËR SHPALLJE KONKURRIMI PËR VEND TË LIRË PUNE

Bazuar ne ligjin nr. 98/2016 datë 06.10.2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, shpall konkurrimin për vend të lirë pune, si më poshtë :

- Për 1 (një) vend, në pozicionin Sekretare gjyqësore zëvendësuese, kategoria IV-a, pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për një periudhë të caktuar, deri në datën 19.07.2022 (kthimin nga leja e lindjes së sekretares që zëvendëson).

- Kërkesa të përgjithshme, kandidati duhet të plotësoj të gjitha kërkesat e përgjithshme për pranimin në  shërbimin civil, sipas nenit nr. 55, të Ligjit nr. 98/2016 datë 06.10.2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Marrëdhëniet e punës për pozicionin “Sekretare gjyqësore zëvendësueserregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës në RSH.

Sekretare gjyqësore zëvendësuese është subjekt proçedurial dhe përmbush detyrat proçeduriale në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Proçedures Penale.

- Përshkrimi i përgjithshëm i punës për pozicionin Sekretare gjyqësore zëvendësuese dhe detyrat që ajo kryenjanë si  më poshtë:

  1. Merr për veprim dhe administrim të përkohshëm të gjithë fashikujt e çështjeve për gjykim, caktuar gjykatësit pranë të cilit punon me proçes-verbal të pasqyruar në libër dorëzimi ku nuk duhet të mungojnë data, ora e dorëzimit, emri i palëve dhe objekti. Fashikujt të ruhen në kasafortë ose në dollape metalike të siguruar.
  2. Kryen të gjitha veprimet teknike dhe proçeduriale për çdo fashikull gjyqësor, bën njoftimet për shpalljen e datës së gjykimit të vendosur nga trupi gjykues si dhe merr çdo masë për sigurimin normal të gjykimit.
  3. Bën njoftimet e palëve me shpallje;
  4. Vërteton aktet e gjykatës dhe lëshon kopje të njehsuara me origjinalin e akteve procedurale gjyqësore. Kur përdoren pajisje regjistrimi apo pajisje që kryejnë funksione të ngjashme,  sekretari  garanton  që regjistrimi  ose  riprodhimështë origjinal dhe i paprekur dhe është pjesë përbërë e dosjes gjyqësore;
  5. Zbaton urdhërimet e gjyqtarit a trupit gjykues të çështjes  për kalimin e çështjes në veprime përgatitore, në gjyq dhe vendimet e ndërmjetme gjatë seancës, me përjashtim të atyre që janë në kompetence të sekretarit gjyqësor a personave të tjerë të parashikuar në ligj e në këtë rregullore.
  6. Sekretarit të seancës i ndalohet t’u japë palëve dhe mbrojtësve të tyre, personave të tjerë të interesuar për çështjen në gjykim, akte të çfarëdo lloji që ndodhen në fashikullin gjyqësor. Për riprodhimin e akteve, lëshimin e ekstrateve apo të fotokopjeve për dokumentacionin që ndodhet në dosje, sekretari i seancës vepron vetëm me urdhër a vendim të gjyqtarit a trupit gjykues, duke zbatuar edhe rregullat e përcaktuara në Rregulloren e institucionit.
  7. Sekretari i seancës ka përgjegjësi të veçantë për mbajtjen e proçes-verbaleve gjyqësore. Gjatë mbajtjes së tij ai duhet të marrë në mënyrë të plotë identitetin e të pandehurve ose të palëve në proçesin civil, datën, orën dhe vendin e seancës gjyqësore, deklarimet e palëve, prokurorit, mbrojtësve, dëshmitarëve, ekspertëve, duke rregjistruar çdo gjë që ka rëndësi për çështjet, të gjitha urdhërat e trupit gjykues dhe vendimet e tij të ndërmjetme.
  8. Mban proçes-verbalin e seancës gjyqësore sipas kërkesave të neneve 115-118 të Kodit të Proçedurës Penale.
  9. Kujdeset në mënyrë parësore për mbajtjen e proçes-verbalit gjyqësor në formën e stenotipisë duke vazhduar me kompjuter dhe regjistrimin e tij në sistemin elektronik të menaxhimit të cështjeve gjyqësore, si dhe në Sistemin Kompjuterik Audio (FTR) dhe në pamundësi të tyre, të përdorimit të tyre, me shkrim dore.
  10. Përgatit kopje në CD të procesverbalit të regjistruar në FTR dhe ia bashkangjit atë dosjes gjyqësore. 
  11. Merr masa që në proçes-verbalin e seancës që mbahet me shkrim, të mos përdoren si një mënyrë e ndaluar shkurtimi, korrigjimi apo lënia e hapsirave bosh. Përbri fjalëve të panevojshme, në kllapa shënohet shprehja “hiqen fjalët” dhe firmoset nga vete shkruesi.
  12. Kur proçes-verbali i seancës mbahet me shkrim të përdorë letër e nënvizuar e mbyllur në kuadrat me kufizime 3 cm majtas dhe 2 cm djathtas, lartë dhe poshtë formatit.
  13. Riprodhon me besnikëri thëniet e pjesmarrësve në proçes. Kur për shkaqe të ndryshme është e pamundur të arrihet pasqyrimi dhe mungojnë mjetet audiovizive, kërkon nga kryetari i seancës përsëritjet e thënieve për të mundësuar pasqyrimin e tyre.
  14. Sekretari i seancës (shkruesi) lidh në mënyrë kronologjike dokumentacionin sipas kohës së paraqitjes dhe aktet proçeduriale sipas kohës së krijimit.
  15. Merr masa që fashikulli gjyqësor në çdo kohë të jetë i lidhur dhe i numërtuar. Lidhja dhe numërtimi i fletëve bëhet pas çdo veprimi me aktet, zakonisht në përfundim të çdo seance apo me paraqitjen e aktit te ri.
  16. Bën shënimin përkatës të dispozitivit të vendimit në numëratorin e vendimeve penale , atë të masave të sigurisë dhe kërkesave penale.
  17. Pasqyron në sistemin elektronik vendimin e zbardhur të anonimizuar në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale;
  18. Përpilon listën e gjykimeve e cila nënshkruhet nga gjyqtari.
  19. Bën llogaritjen e shpenzimeve gjyqësore të cilat i shënon në kopjen e parë të vendimit.
  20. Respekton të gjithë mbarëvajten e punës referuar rregullave të etikës dhe të sjelljes.
  21. Pervec detyrave procedurale, sekretari i seances, kryen edhe detyra te tjera me karakter administrativ të parashikuara në Rregulloren e Institucionit.
  22. Ushtron çdo detyrë tjetër të caktuar me ligj të autorizuar nga Kryetari i Gjykatës, Këshilli i Gjykatë dhe Kancelari.

  • Kushtet që duhet të plotësojë kandidati janë:

a - Të jetë shtetas shqiptar;

b - Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

c - Të zotërojë gjuhën shqipe, të shkruar dhe të folur;

d - Të jetë në kushte shëndetësore që e lejojnë të kryejë detyrën përkatëse;

e - Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;

       -   Kandidatët duhet të plotësojnë kriteret e veçanta si vijon:

  1. Të jetë diplomuar në drejtësi, të paktën në nivelin “Bachelor”;
  2. Të ketë përvojë prej të paktën 1 vit të njohur si praktikë profesionale ose çdo lloj përvoje tjetër profesionale që lidhet me gjykatën.
  3. Të ketë njohuri shumë të mira të përdorimit të kompjuterit.
  4. Të ketë aftësi të mira profesionale, organizative, etike të lartë komunikimi me të gjithë marrësit e shërbimit të Gjykatës, brenda dhe jashtë saj.
  5. Të jetë i aftë për të kryer në kohë detyrat e ngarkuara.
  6. Të ketë aftësi të mira komunikimi dhe të punës në grup.
  7. të japin pëlqimin për plotësimin e kushteve të sigurisë të përcaktuar në ligjin nr. 95/2016 “Për Organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, si dhe në nenin 41 te Vendimit të KLGJ-së, nr. 622 datë 10.12.2020.

Kushtet e sigurisë para emërimit në detyrë janë:

  • kontrolli i verifikimit të pasurisë dhe të figurës;
  • dhënia e pëlqimit për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake; si dhe
  • dhënia e pëlqimit prej anëtarëve të afërt të familjes për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake. 

-Kandidati duhet të paraqesë zyrtarisht, brënda datës 07.01.2022, ora 16:00 pranë Kryesekretarisë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dokumentat e mëposhtëm:

a- Kërkesë motivimi për aplikim në vendin e punës që konkurron;

b- Jetëshkrim i plotësuar (CV);

c- Fotokopje të diplomës (përfshirë edhe diplomën Bachelor; për diplomat jashtë vendit, të përcillet njehsimi nga MAS);

d - Fotokopje të librezës së punës (të gjitha faqet që vërtetojnë eksperiencën në punë);

e - Fotokopje të letërnjoftimit (ID);

f - Vërtetim të gjendjes shëndetësore;

g - Vetëdeklarim të gjendjes gjyqësore sipas formularit tip.

h - Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimim shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj;

i - Vërtetim nga gjykata

j - Vërtetim nga prokuroria

k Formularët e Deklarimit të Pasurisë, si dhe formularët A, B2, B3 të përcaktuar në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, (me anë të të cilave jep pëlqimin për kontrollin e verifikimit të pasurisë dhe të figurës, dhënien e pëlqimit për kontrollin periodik të llogarive bankare dhe të telekomunikimeve vetjake, si dhe dhënien e pëlqimit prej anëtarëve të afërt të familjes për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe të telekomunikimeve vetjake).     

(Formularët gjenden të publikuar bashkëlidhur këtij njoftimi).

Mosparaqitja e plotë e dokumentacionit sjell skualifikim të kandidatit.

Konkurrimi zhvillohet në dy faza:

  1. Verifikimi paraprak, i përmbushjes së kushteve minimale për pozicionin e punës dhe kërkesave të veçanta në shpalljen për konkurrim, do të kryhet brenda datës 11.01.2022, në ambientet e Gjykatës, dhe brenda datës do të shpallet lista e kandidatëve që plotësojnë kushtet e përgjithshme dhe të veçanta në shpalljen për konkurrim. Kandidatët që nuk kualifikohen do të njoftohen nëpërmjet emailit.

  1. Intervista e strukturuar me gojë, për kandidatët fitues të fazës së parë, do të zhvillohet më datë 13.01.2022 ora 12:00, pranë ambienteve Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

  • Fusha e njohurive, aftësitë dhe cilësitë që do të vlerësohen në intervistë janë :

  • Ligji nr. 98/2016 "Për organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë";
  • Ligji nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”;  
  • Kodi i Procedurës Penale;
  • Kodi i Procedurës Civile;
  • Ligji nr.9131, datë 08.09.2003 “Për rregullat e etikës në administratën publike”;
  • Ligji nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”

Vlerësimi i kandidateve do të bëhet sipas kërkesave të ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”

Data e daljes së rezultateve do të jetë 14.01.2022

Njoftimi dhe komunikimi për kandidatët do të jetë nëpërmjet telefonit dhe adresës së e-mail të kandidatit

                          

GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Rr. “Jordan Misja”, Nr.1, Tiranë, Telefon 042231528, faks 042231527, e-mail: sekretaria@gjp.gov.al