Administratë e gjykatës

Organizimi i administratës gjyqësore

Administrata gjyqësore realizon misionin e saj nëpërmjet shërbimeve të mëposhtme:

a) shërbime gjyqësore, që mbështesin drejtpër-drejt veprimtaritë gjyqësore, duke përfshirë dokumentimin dhe veprimtari që kryhen nga këshilltarët dhe ndihmësit ligjorë, kryesekretarja dhe sekretarët gjyqësorë;
b) shërbime administrative, që përfshijnë financën dhe buxhetimin, marrëdhëniet me jashtë dhe me publikun, teknologjinë e informacionit, arkivin gjyqësor, sigurinë, si dhe burimet njerëzore;
c) shërbime mbështetëse, që sigurojnë në mënyrë të veçantë kryerjen e shërbimeve të njoftimeve, dhënien ndihmë trupit gjykues dhe kryesuesit të seancës, si dhe çdo veprimtari tjetër që ka të bëjë me rregullin dhe sjelljen e përshtatshme gjatë seancës gjyqësore, shërbimet e transportit, mirëmbajtjen e mjediseve të gjykatës.

Veprimtaritë që duhet të kryhen rregullisht për secilin nga këto shërbime përcaktohen në përshkrimin standard të punës, të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Kryesekretari

1. Kryesekretari ka në kompetencë bashkë-rendimin, organizimin dhe ndarjen e punës së zyrës së sekretarisë nën drejtimin e kancelarit të gjykatës.

2. Kryesekretari ushtron kompetencat e mëposhtme:
a) lëshon vërtetime për të dhënat e kërkuara nga palët nga regjistrat në gjykatë;
b) nënshkruan të gjitha aktet procedurale që kërkojnë njoftime procedurale, siç janë:
i) vendimet gjyqësore që bëhen përfundimtare;
ii) vendime përfundimtare dhe të ndërmjetme që dërgohen për ekzekutim;
iii) ekstrakte dhe fotokopje të njësuara me origjinalin të akteve të gjykatës;
iv) të gjitha aktet e tjera të nxjerra nga gjykata, krahas nënshkrimit të personit që i ka përgatitur;
c) çdo detyrë tjetër e përcaktuar me ligj.

3. Veprimtari të tjera, të cilat kryhen rregullisht nga kryesekretarët, renditen në përshkrimet standarde të punës, miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor

Sekretari gjyqësor

1. Sekretari gjyqësor kryen detyra procedurale, në përputhje me legjislacionin procedural në fuqi.

2. Sekretari gjyqësor ushtron në veçanti funksionet e mëposhtme:
a) vërteton aktet e gjykatës dhe lëshon vërtetime apo kopje të njësuara me origjinalin të akteve procedurale gjyqësore.

Kur përdoren pajisje regjistrimi apo pajisje që kryejnë funksione të ngjashme, sekretari garanton që regjistrimi ose riprodhimi është origjinal dhe i paprekur;

b) është përgjegjës për krijimin e dosjeve dhe ndihmon gjyqtarin për mbajtjen e dosjeve sipas një rregulli të caktuar, si dhe për regjistrimin dhe zbatimin e urdhrave të shpallur apo të nxjerrë nga gjykatat dhe gjyqtarët;
c) ndihmon në mbajtjen e regjistrave, si dhe për regjistrimet në regjistra dhe ndihmon në mbajtjen dhe përdorimin e mjeteve teknike, audiovizive dhe kompjuterike atje ku këto janë të disponueshme;
ç) ndihmon në çështje që lidhen me mbajtjen e dosjeve personale;
d) bashkëpunon me autoritetet kompetente për çështje të taksave dhe tarifave gjyqësore;
dh) ndihmon në krijimin e statistikave të gjykatës, sipas kritereve të përcaktuara për këtë qëllim dhe për saktësinë e të dhënave;
e) ushtron çdo detyrë tjetër të caktuar me ligj.

3. Veprimtari të tjera, të cilat kryhen rregullisht nga sekretarët gjyqësorë, renditen në përshkrimet standarde të punës, miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Shërbimi financiar

Shërbimi financiar ushtron dhe zbaton detyrimet që rrjedhin nga ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” dhe ligji “Për menaxhimin dhe kontrollin financiar”, si dhe aktet në zbatim të tyre.

Marrëdhëniet me publikun

1. Shërbimet për marrëdhëniet me publikun kujdesen për informimin e publikut dhe medias në lidhje me veprimtaritë e gjykatës, si dhe për çështje të caktuara gjyqësore, në përputhje me rregullat e miratuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, me qëllim që:
a) t’i sigurohet medias dhe publikut informacion faktik rreth vendimeve gjyqësore dhe për korrigjimin e gabimeve të mundshme mbi faktet për çështje të caktuara;
b) t’i komunikohet medias përmbledhje e vendimeve gjyqësore për çështje që kanë interes publik;
c) të mbahen kontakte me median për seancat gjyqësore të çështjeve që kanë interes të veçantë publik;
ç) të sigurohet informacion, në përputhje me ligjin “Për të drejtën e informimit”, në veçanti në lidhje me çështjet në gjykim dhe administratën gjyqësore;
d) të publikohen të gjitha vendimet gjyqësore në përputhje me ligjin.

2. Shërbimet e marrëdhënieve me publikun kryhen duke respektuar parimin për të drejtën e informimit, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, privatësisë dhe të dhënave personale, reputacionit dhe prezumimit të pafajësisë.

3. Shërbimi i marrëdhënieve me publikun ndërvepron dhe bashkëpunon me Këshillin e Lartë Gjyqësor mbi ecurinë e marrëdhënieve me publikun pranë gjykatave dhe kërkon mendimin e tij kur është e nevojshme.

4. Këshilli i Gjykatës cakton nëpunësin civil gjyqësor për marrëdhëniet me publikun si koordinator, në përputhje me ligjin për kompetencat e koordinatorit për të drejtën e informimit.

5. Shërbimet e marrëdhënieve me publikun ushtrohen nga ose nën mbikëqyrjen e gjyqtarit të caktuar për marrëdhëniet me publikun.

Shërbimi i teknologjisë së informacionit

Shërbimet e teknologjisë së informacionit sigurojnë:
a) mirëmbajtjen dhe administrimin e bazës së të dhënave në gjykatë, të mbajtura në formë elektronike nëpërmjet sistemeve kompjuterike, duke respektuar legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale;
b) ruajtjen e rregullt të statistikave të gjykatës.

Shërbimi i arkivit gjyqësor

1. Shërbimi i arkivit gjyqësor mban dhe administron dokumentacionin gjyqësor, i cili përfshin dosje, regjistra dhe akte të tjera gjyqësore, si dhe akte që lidhen me veprimtarinë adminis-trative të gjykatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi për arkivat shtetërorë.

2. Shërbimi i arkivit gjyqësor bashkëpunon me Arkivin Shtetëror të Sistemit Gjyqësor për ruajtjen, përpunimin dhe administrimin e dokumentacionit gjyqësor, i cili i nënshtrohet procedurës së arkivimit.

Rregulli dhe siguria në gjykata

1. Rregulli dhe siguria në gjykata rregullohet sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

2. Këshilli i Ministrave, pasi merr mendimin e Këshilli të Lartë Gjyqësor, përcakton kriteret dhe procedurat për garantimin e rregullit dhe sigurisë në gjykata.