Drejtuesit e gjykatës
Organet drejtuese në Gjykatën e Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar janë Kryetari, Këshilli i Gjykatës dhe Kancelari.
Kompetencat e kryetarit të gjykatës
Kryetari i gjykatës ka përgjegjësi për mena-xhimin e përgjithshëm gjyqësor dhe ushtron këto detyra:
a) përfaqëson gjykatën në marrëdhënie me të tretët;
b) në fillim të çdo viti miraton një listë, e cila përditësohet kur është e nevojshme, që përcakton gjyqtarët për gjykimet e rasteve urgjente, siç përcaktohet me ligj, sipas rendit alfabetik me bazë mbiemrin, në përputhje me rregullat e miratuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor;
c) mban kontakt me grupet e kontrollit të institucioneve të tjera shtetërore, njihet me qëllimin dhe objektin e kontrollit dhe u krijon atyre mundësi për ushtrimin e detyrës;
d) mbikëqyr respektimin e etikës gjyqësore dhe të solemnitetit, si dhe bashkëpunon me Këshillin e Lartë Gjyqësor në lidhje me vlerësimin etik dhe profesional të gjyqtarëve;
e) mbikëqyr disiplinën në punë të gjyqtarëve dhe kërkon fillimin e hetimit kur dyshohet shkelje disiplinore e gjyqtarëve në gjykatat e tyre;
f)kujdeset për organizimin dhe funksionimin e administrimit gjyqësor në gjykatë në lidhje me veprimtaritë jogjyqësore nëpërmjet kancelarit, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në këtë ligj;
g) thërret, përgatit dhe drejton mbledhjet e përgjithshme të gjyqtarëve dhe të Këshillit të Gjykatës, përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj;
h) udhëzon dhe mbikëqyr kancelarin;
i) verifikon ankesat, heton shkeljet disiplinore dhe propozon fillimin e procedimit disiplinor ndaj kancelarit;
j) kryen veprimet dhe merr vendime që lidhen me statusin e nëpunësve civilë gjyqësorë, siç parashikohet në këtë ligj;
k) garanton zbatimin e vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, në veçanti në lidhje me masat që kanë për qëllim rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së shërbimeve gjyqësore;
l) garanton qasjen dhe mënyrën e përdorimit të sistemit të menaxhimit të çështjeve, në përputhje me politikat e përgjithshme shtetërore në fushën e teknologjisë dhe sigurisë së informacionit dhe rregullave të miratuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas parashikimeve të ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”;
m) ushtron çdo detyrë tjetër që lidhet me veprimtaritë jogjyqësore të gjykatës, siç përcaktohet me ligj ose vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Kompetencat e Këshillit të Gjykatës
Këshilli i Gjykatës ka kompetencat e mëposhtme:
a) miraton përshkrimet e punës për të gjitha kategoritë e nëpunësve të shërbimit civil gjyqësor dhe punonjësve të gjykatës, sipas modelit të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, dhe në raste të veçanta i përshtat me nevojat e gjykatës dhe kriteret e vendit të punës;
b) merr vendime në lidhje me statusin e nëpunësve civilë gjyqësorë, siç përcaktohet në këtë ligj;
c) miraton strukturën dhe organikën e administratës së gjykatës, sipas modelit të miratuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, dhe në raste të veçanta i përshtat me nevojat e gjykatës dhe aftësitë e personave në detyrë;
ç) miraton strukturën e gjykatës dhe cakton gjyqtarët në seksione dhe trupa gjykues pasi merr mendimin e mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve, duke ndjekur rregullat e përgjithshme të miratuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor;
d) shqyrton ankesa në lidhje me çështje të infrastrukturës së gjykatës, shërbimet ndihmëse në gjykatë dhe çështje të tjera që nuk lidhen me ushtrimin e detyrave të administratës gjyqësore dhe i raporton Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi ankesat dhe masat e marra në përputhje me rregullat e miratuara nga Këshilli i Lartë Gjyqësor;
dh) vlerëson dhe shqyrton projektbuxhetin e përgatitur nga nëpunësi i financës përpara paraqitjes në Këshillin e Lartë Gjyqësor;
e) jep informacion, mendime ose raporte të kërkuara nga institucione shtetërore sipas ligjit;
ë) bashkëpunon me Shkollën e Magjistraturës dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor për çështje që lidhen me formimin fillestar dhe vazhdues të gjyqtarëve dhe nëpunësve civilë gjyqësorë;
f) organizon rregullisht takime me përdoruesit e gjykatës për rritjen e efikasitetit dhe cilësisë së drejtësisë;
g) miraton rregulla të veçanta të gjykatës për çështje të ruajtjes dhe sigurisë në gjykatë;
gj) ushtron detyra të tjera të caktuara me ligj.
Kompetencat e kancelarit
1. Kancelari është përgjegjës për menaxhimin e administrimit gjyqësor dhe në veçanti ka kompetencat e mëposhtme:
a) është anëtar me të drejtë vote në Këshillin e Gjykatës, në përputhje me nenin 27, dhe i Komisionit të Ristrukturimit, sipas pikës 6, të nenit 66, të këtij ligji;
b) kryen veprime dhe merr vendime që lidhen me statusin e nëpunësve civilë gjyqësorë siç parashikohet në këtë ligj;
c) mbikëqyr procesin e organizimit dhe dokumentimit të ndarjes së çështjeve me short;
ç) emëron, drejton, mbikëqyr dhe shkarkon punonjësit e gjykatës;
d) mbikëqyr mirëmbajtjen e godinës së gjykatës.
2. Pas këshillimit me Kryetarin e Gjykatës, kancelari është përgjegjës për:
a) funksionimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve në gjykatë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për teknologjinë dhe sigurinë e informacionit dhe mbikëqyrjen e mbledhjes dhe përpunimit të saktë të të dhënave;
b) dorëzimin e raporteve periodike për gjendjen e përdorimit dhe funksionimit të sistemit të menaxhimit të çështjeve Këshillit të Lartë Gjyqësor;
c) raportimin pa vonesë Këshillit të Lartë Gjyqësor mbi nevojat dhe përditësimet e nevojshme të funksionimit të sistemit të menaxhimit të çështjeve;
ç) udhëzimin dhe mbikëqyrjen e punës së nëpunësve civilë gjyqësorë të gjykatës;
d) i siguron Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë qasje në të dhënat statistikore për aq sa u nevojitet këtyre institucioneve në ushtrimin e kompetencave të tyre të caktuara me ligj;
dh) kryen çdo detyrë, siç përcaktohet me ligj ose siç autorizohet nga kryetari.
Kompetencat e mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve të gjykatës
Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve mblidhet rregullisht, të paktën një herë në muaj. Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve ushtron kompetencat e mëposhtme:
a) zgjedh një gjyqtar si zëvendëskryetar me shumicën e votave nga radhët e gjyqtarëve të gjykatës;
b) diskuton dhe jep mendim për raportin vjetor të gjykatës;
c) diskuton çështje të natyrës juridike, vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë, vendimet e gjykatave të tjera, vendimet e Këshillit të Lartë Gjyqësor, aktet e kontrollit dhe inspektimit të ushtruara nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, si dhe akte përkatëse të Ministrisë së Drejtësisë dhe çdo çështje tjetër në lidhje me gjykatën në tërësi;
ç) ushtron çdo detyrë tjetër të caktuar me ligj.