Njoftime për shpallje konkurrimi për vend të lirë pune

NJOFTIM PËR SHPALLJE KONKURRIMI PËR VEND TË LIRË PUNE

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË
PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Nr._______Prot.
Tiranë, më 11/03/2020

NJOFTIM

PËR SHPALLJE KONKURRIMI PËR VEND TË LIRË PUNE

Bazuar ne ligjin nr. 98/2016 datë 06.10.2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe në urdhërimin e Kryetarit të Gjykatës sipas shkresës së KLGJ-së me nr. 1671 prot., datë 09.03.2020, me lëndë: “Mbi miratimin e shtesës në organikën e gjykatës”, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, shpall konkurrimin për 4 vende të lira pune, si më poshtë :

- Për 4 (katër) vende, në pozicionin Sekretare gjyqësore, pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

- Kërkesa të përgjithshme, kandidati duhet të plotësoj të gjitha kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimin civil, sipas nenit nr. 55, 56 të Ligjit nr. 98/2016 datë 06.10.2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, si dhe kushtet e veçanta sipas neneve nr. 44 e 45 të ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të  luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Sekretar/e gjyqësor është subjekt proçedurial dhe përmbush detyrat proçeduriale në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Proçedures Penale.

Përshkrimi i përgjithshëm i punës për pozicionin Sekretar/e gjyqësore,  janë si  më poshtë:

  • Merr për veprim dhe administrim të përkohshëm të gjithë fashikujt e çështjeve për gjykim, caktuar gjykatësit pranë të cilit punon me proçes-verbal të pasqyruar në libër dorëzimi ku nuk duhet të mungojnë data, ora e dorëzimit, emri i palëve dhe objekti. Fashikujt të ruhen në kasafortë ose në dollape metalike të siguruar.
  • Kryen të gjitha veprimet teknike dhe proçeduriale për çdo fashikull gjyqësor, bën njoftimet për shpalljen e datës së gjykimit të vendosur nga trupi gjykues si dhe merr çdo masë për sigurimin normal të gjykimit.
  • Bën njoftimet e palëve me shpallje;
  • Vërteton aktet e gjykatës dhe lëshon kopje të njehsuara me origjinalin e akteve procedurale gjyqësore. Kur përdoren pajisje regjistrimi apo pajisje që kryejnë funksione të ngjashme,  sekretari  garanton  që regjistrimi  ose  riprodhimi  është origjinal dhe i paprekur dhe është pjesë përbërë e dosjes gjyqësore;
  • Zbaton urdhërimet e gjyqtarit a trupit gjykues të çështjes  për kalimin e çështjes në veprime përgatitore, në gjyq dhe vendimet e ndërmjetme gjatë seancës, me përjashtim të atyre që janë në kompetence të sekretarit gjyqësor a personave të tjerë të parashikuar në ligj e në këtë rregullore.
  • Sekretarit të seancës i ndalohet t’u japë palëve dhe mbrojtësve të tyre, personave të tjerë të interesuar për çështjen në gjykim, akte të çfarëdo lloji që ndodhen në fashikullin gjyqësor. Për riprodhimin e akteve, lëshimin e ekstrateve apo të fotokopjeve për dokumentacionin që ndodhet në dosje, sekretari i seancës vepron vetëm me urdhër a vendim të gjyqtarit a trupit gjykues, duke zbatuar edhe rregullat e përcaktuara në Rregulloren e institucionit.
  • Sekretari i seancës ka përgjegjësi të veçantë për mbajtjen e proçes-verbaleve gjyqësore. Gjatë mbajtjes së tij ai duhet të marrë në mënyrë të plotë identitetin e të pandehurve ose të palëve në proçesin civil, datën, orën dhe vendin e seancës gjyqësore, deklarimet e palëve, prokurorit, mbrojtësve, dëshmitarëve, ekspertëve, duke rregjistruar çdo gjë që ka rëndësi për çështjet, të gjitha urdhërat e trupit gjykues dhe vendimet e tij të ndërmjetme.
  • Mban proçes-verbalin e seancës gjyqësore sipas kërkesave të neneve 115-118 të Kodit të Proçedurës Penale.
  • Kujdeset në mënyrë parësore për mbajtjen e proçes-verbalit gjyqësor në formën e stenotipisë duke vazhduar me kompjuter dhe regjistrimin e tij në sistemin elektronik të menaxhimit të cështjeve gjyqësore, si dhe në Sistemin Kompjuterik Audio (FTR) dhe në pamundësi të tyre, të përdorimit të tyre, me shkrim dore.
  • Përgatit kopje në CD të procesverbalit të regjistruar në FTR dhe ia bashkangjit atë dosjes gjyqësore. 
  • Merr masa që në proçes-verbalin e seancës që mbahet me shkrim, të mos përdoren si një mënyrë e ndaluar shkurtimi, korrigjimi apo lënia e hapsirave bosh. Përbri fjalëve të panevojshme, në kllapa shënohet shprehja “hiqen fjalët” dhe firmoset nga vete shkruesi.
  • Kur proçes-verbali i seancës mbahet me shkrim të përdorë letër e nënvizuar e mbyllur në kuadrat me kufizime 3 cm majtas dhe 2 cm djathtas, lartë dhe poshtë formatit.
  • Riprodhon me besnikëri thëniet e pjesmarrësve në proçes. Kur për shkaqe të ndryshme është e pamundur të arrihet pasqyrimi dhe mungojnë mjetet audiovizive, kërkon nga kryetari i seancës përsëritjet e thënieve për të mundësuar pasqyrimin e tyre.
  • Sekretari i seancës (shkruesi) lidh në mënyrë kronologjike dokumentacionin sipas kohës së paraqitjes dhe aktet proçeduriale sipas kohës së krijimit.
  • Merr masa që fashikulli gjyqësor në çdo kohë të jetë i lidhur dhe i numërtuar. Lidhja dhe numërtimi i fletëve bëhet pas çdo veprimi me aktet, zakonisht në përfundim të çdo seance apo me paraqitjen e aktit te ri.
  • Bën shënimin përkatës të dispozitivit të vendimit në numëratorin e vendimeve penale , atë të masave të sigurisë dhe kërkesave penale.
  • Pasqyron në sistemin elektronik vendimin e zbardhur të anonimizuar në përputhje me legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale;
  • Përpilon listën e gjykimeve e cila nënshkruhet nga gjyqtari.
  • Bën llogaritjen e shpenzimeve gjyqësore të cilat i shënon në kopjen e parë të vendimit.
  • Respekton të gjithë mbarëvajten e punës referuar rregullave të etikës dhe të sjelljes.
  • Pervec detyrave procedurale, sekretari i seances, kryen edhe detyra te tjera me karakter administrativ të parashikuara në Rregulloren e Institucionit.

Kërkesat e veçanta për pozicionin Sekretare Gjyqësore, janë si më poshtë :

  • të jenë diplomuar në drejtësi;
  •    të kenë përvojë prej të paktën një vit të njohur si praktikë profesionale ose çdo lloj përvoje tjetër profesionale që lidhet me gjykatën;
  • të njohë dhe të përdorë programet bazë të punës në kompjuter;
  • të ketë aftësi të mira komunikimi dhe të punës në grup;
  • të mos ketë masa disiplinore në fuqi, ose të mos jetë në proçedim disiplinor;
  • të  japin pëlqimin për plotësimin e kushteve të sigurisë, të caktuar me ligj të veçantë të GJKKOK.

Kandidati duhet të paraqes zyrtarisht, brenda datës 23.03.2020, pranë kryesekretarisë së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dokumentat e mëposhtëm:

  • Kërkesë motivimi për aplikim në vendin e punës që konkuron.
  • CV.
  • Fotokopje të noterizuar të diplomës dhe listës së notave.
  • Fotokopje të librezës së punës,
  • Fotokopje të çertifikatave të trajnimeve apo kualifikimeve (nëse ka).
  • Dokument të gjuhës së huaj.
  • Vërtetim të gjendjes shëndetsore (raport i aftësisë në punë).
  • Vërtetim i gjendjes gjyqësore (formulari i vetdeklarimit të gjëndjes gjyqësore).
  • Kontaktet (numër telefoni dhe adresë email) dhe adresën e plotë të vendqëndrimit.
  • Fotokopje e kartës së identitetit.
  • Vërtetim banimi.

Mosparaqitja e plotë e dokumentave sjell skualifikim të kandidatit.

Konkurrimi zhvillohet në dy faza:

  1. Verifikimi paraprak, i përmbushjes së kushteve minimale për pozicionin e punës dhe kërkesave të veçanta në shpalljen për konkurrim, do të kryhet brenda datës 24.03.2020, në ambientet e Gjykatës, dhe brenda datës do të shpallet lista e kandidatëve që plotësojnë kushtet e përgjithshme dhe të veçanta në shpalljen për konkurrim dhe listat e atyre që nuk i plotësojnë.
  1. Intervista e strukturuar me gojë, për kandidatët fitues të fazës së parë, do të zhvillohet më datë 25.03.2020 ora 13:00, pranë ambienteve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

- Fusha e njohurive, aftësitë dhe cilësitë që do të vlerësohen në intervistë janë :

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, e ndryshuar: Ligji nr. 98/2016 “ Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”; Ligji nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, Ligji nr. 96/2016 “ Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”; Kodi i Procedurës Penale; Kodin e Procedurës Civile; ligji nr. 9131 datë 08.09.2003 “Për rregullat e etikës në Administratën Publike”.

Vlerësimi i kandidateve do të bëhet sipas kërkesave të ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.

Data e daljes së rezultateve do të jetë 26.03.2020.

Njoftimi dhe komunikimi për kandidatët do të jetë nëpërmjet telefonit dhe adresës së e-mail të kandidatit.

GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË

PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Rr. “Jordan Misja”, Nr.1, Tiranë, Telefon 042231528, faks 042231527, sekretaria@gjp.gov.al