INTERVISTE PER SHTYP

Dyfishohen përgjimet e zyrtarëve/ Flet kreu i GJKKO: Me 1250 vendime, nga korrupsioni, tenderat, te krimi i organizuar

TOP-interview

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar është trazuar qetësia e të pandëshkueshmëve .

Një gjykatë e cila ka miratuar hetimet intensive të SPAK, ka shpallur dhjetëra vendime fajësie ndaj njerëzve të botës së krimit dhe ndaj të korruptuarve. Një gjykatë tek e cila sytë e publikut kanë pritshmëri kryesisht ndaj të korruptuarve dhe ku sakaq po shqyrtohen dosje të tjera me interes të lartë.

Kryetarja e Gjykatës së Posaçme garanton zbatim të ligjit dhe drejtësi-dhënie. Ajo që kuptohet deri më tani, është se SPAK ka dyfishuar përgjimet që më pas janë miratuar nga gjykata ku dhe vihet re se në vend të parë si më  të përgjuarit janë ata, njerëzit e institucioneve.

"Nuk mund të deklaroj  një shifër të saktë të abonentëve telefonikë të vendosur nën përgjim, jo vetëm për shkak të sekretit hetimor; por edhe për arsyen tjetër se numri i numrave nën përgjim për një vendim shkon mesatarisht për cdo dosje deri në 20 numra. Numri i përgjimeve është dyfishuar. Konkretisht  deri më sot, numri i kërkesave dhe më pas numri I vendimeve për përgjime ka arritur në 1250 , ku cdo vendim ka 10 deri në 20 apo 30 numra nën përgjim. Dhe këto i përkasin korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera, por edhe krimit të organizuar duke nisur nga trafiqet deri tek vrasjet në kuadër të grupeve”-thotë Irena Gjoka.

Përpos mbrojtjes së posaçme që kanë gjyqtarët antikorrupsion së bashku me prokurorët e SPAK, rezulton se një gjyqtare është vendosur nën mbrojtje të veçantë së bashku me familjen mbas një vendimi të shpallur prej saj

“Gjykata e Posaçme ka filluar funksionimin në 19 dhjetor 2019 dhe ka të parashikuar në organikë 16 gjyqtarë, aktualisht janë në detyrë nëntë gjyqtare, tetë të emëruar dhe 1 me skemë delegimi. Gjyqtarët e posaçëm në raport me kolegët gëzojnë mbrojtje të veçantë edhe për shkak të kompetencës lëndore që ata kanë siç janë ato të korrupsionit, të gjitha veprave  në kuadër të grupit kriminal, organizatës kriminale, bandave terroriste si dhe akuzat ndaj funksionarëve më të lartë ;presidentit, kryeministrit, ministrave, deputetëve, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, prokurorit të përgjithshëm, zëvendësministrit , anëtarëve të KLGJ e KLP si dhe drejtuesit e institucioneve qendrore dhe atyre të pavarur”.

Me kërkesë të SPAK për një vit gjykata antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar konfiskoi 72 pasuri, të investuara nga personazhe të njohur në fushën e ndërtimit

Mesatarisht  një gjyqtar gjykon rreth 300 çështje, ku përfshihen jo vetëm çështjet e themelit, por edhe kërkesat e fazës paraprake, përgjim e  sekuestrime,  kërkesa  për konfiskime. Kohëzgjatja e gjykimit të çështjeve është rreth 30 ditë, dhe në raport me gjykatat e tjera gjykata antikorrupsion ka performancën më të mirë bazuar në raportet e KLGJ. Pasuritë e sekuestruara  i përkasin krimit të organizuar, dhe janë njësi tregtare, apartamente troje e të tjera”.

Anila HOXHA - Gazetare e TCH