NJOFTIM PER SHTYP
Këshilli i Evropës diskuton mbi tendencat dhe praktiken e Gjykatave të Posaçme në fushën e antikorrupsionit.
Më 31 tetor 2023 në Strasburg, të Francës, Sektori kundër Krimit Ekonomik dhe Bashkëpunimit të Këshillit të Evropës organizoi tryezën e rrumbullakët me temë: “Tendencat dhe praktikat e gjykatave të posaçme dhe gjyqtarëve të specializuar në fushën kundër korrupsionit”.
Tryeza mblodhi së bashku gjyqtarë të gjykatave te posaçme dhe atyre të zakonshme të shteteve anëtare të Këshillit të Evropës me qëllim paraqitjen e analizës së Këshillit të Evropës dhe diskutuan mbi pikat e forta dhe mangësitë e gjyqtarëve të specializuar apo gjykatave të posaçme kundër korrupsionit. Gjithashtu, tryeza e rrumbullakët shërbeu si forum diskutimi mbi metodat e tjera të ndjekjes penale dhe gjykimit efikas të rasteve të korrupsionit.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar u përfaqësua nga Zv/Kryetarja, gjyqtare Irena Gjoka. Pjesëmarrësit u njohën me qëndrimin e Komisionit të Venecias në lidhje me gjykatat e posaçme kundër korrupsionit që rrjedh nga mendimet ligjore të dhëna nga shtete të ndryshme anëtare të Këshillit të Evropës si dhe me Opinionin e 15-të, të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë për specializimin e gjyqtarëve.
Më tej, pjesëmarrësit diskutuan për gjetjet e analizës krahasuese të lartpërmendur si dhe arsyet për themelimin e gjykatave të posacme, përzgjedhjen e gjyqtarëve, ndikimin dhe qëndrueshmërinë e këtyre gjykatave. Pjesëmarrësit ndanë gjithashtu përvojat e tyre praktike, nevojat dhe sfidat me të cilat po përballen, si dhe avantazhet që po evidentojnë dhe ndikimin e gjykatave te posacme në juridiksionet e tyre.
Përfaqësuesit e gjykatave ranë dakord që duhet bërë një vlerësim i ndikimit përpara se të krijohet një gjykatë e posaçme kundër korrupsionit apo krimit ekonomik dhe të vendoset për modelin që do të përdoret bazuar në kontekstin dhe kërkesat e vendit. Për më tepër, duhet bërë analiza e mëtejshme nëse me ngritjen e gjykatave të tilla ulet korrupsioni dhe nëse mund të gjenden zgjidhje për të gjykuar korrupsionin e nivelit të lartë brenda gjyqësorit aktual.
Këshilli i Evropës nëpërmjet Sektorit të tij për Krimin Ekonomik dhe Bashkëpunimin zhvilloi analizë krahasuese mbi tendencat dhe praktikën e specializimit në fushën e antikorrupsionit dhe bazuar në gjetjet e tij, do të vijojë bashkëpunimin në të ardhmen dhe nevojat për asistencë teknike të shteteve anëtare.