NJOFTIM PER SHTYP

Në funksion të ndërtimit të një marrëdhënie të hapur, transparente, të besueshme dhe të përgjegjshme me publikun dhe median, sot në 9 nëntor, 2023 ora 8:00, në mjediset e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Gjyqtari i Medias z. Erjon Bani zhvilloi një takim me përfaqësues të medias të cilët mbulojnë çështjet e drejtësisë.
Duke kuptuar që besimi është parakushti i domosdoshëm i një komunikimi efektiv dhe kërkon qasje të reja për dialog e angazhim, për të ndërtuar, nxitur komunikim dhe angazhim dypalësh dhe mënyra të mira për të rritur besimin përmes angazhimit, përfaqësuesit e medias diskutuan marrëdhëniet proaktive, transparente e informuese.  
Qëllimi i takimit ishte diskutimi i çështjeve për marrjen e informacionit, veçanërisht përcjellja e informacionit në kohë reale, transparenca, ura e komunikimit interaktive si dhe mënyra e koordinimit midis gjyqësorit dhe medias, nëpërmjet platformës ndërvepruese të komunikimit.
Gjyqtari i Medias z. Bani shprehu gatishmërinë duke theksuar që në çdo rast Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar do të mbajë marrëdhënie të vazhdueshme me mediat lidhur me kërkesat e tyre për informacion mbi çështjet gjyqësore që kanë interes të veçantë, nëpërmjet Koordinatorit të së Drejtës për Informim duke komunikuar në kohë reale.
Z. Bani garantoi vijimin e përmirësimit të komunikimit me përfaqësuesit e medias, përmes komunikimit të strukturuar, të vazhdueshëm dhe proaktiv me qëllim funksionimin me transparencë të plotë, përkushtim dhe efikasitet mbi arritjen e standardeve më të larta të etikës dhe profesionalizmit në komunikim me ta.