NJOFTIM PËR SHTYP

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË
PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

NJOFTIM PËR SHTYP

Me Vendimin Nr. 286, datë 18.12.2019 "Për fillimin e funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar" të Këshillit  të Lartë Gjyqësor, është vendosur fillimi i funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 19.12.2019. Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda emërtohet Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Selia e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është në Tiranë, në ndërtesën aktuale të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është 16 (gjashtëmbëdhjetë). Ky vendim i fillon efektet më datë 19.12.2019.

Gjithashtu me Vendimet Nr. 293 - 304 të datës 18.12.2019 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, është vendosur caktimi në pozicion të përkohshëm të 12 gjyqtarëve në detyrë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Në zbatim të këtij Vendimi, sot më datën 19.12.2019 filloi funksionimin Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Nga ana e institucionit tonë janë marrë të gjitha masat organizative për fillimin e veprimtarisë gjyqësore dhe asaj administrative si Gjykatë e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar si: përgatitja e vulës së institucionit, emërtesat, tabelat orientuese për publikun, regjistrat gjyqësorë dhe regjistrat e tjerë, fashikujt e kërkesave e të çështjeve penale, togat e gjyqtarëve,  të sekretareve, veshjen unifomë të nëpunësve gjyqësorë, sistemi i sigurisë dhe i kamerave të vëzhgimit, serverat etj. Po vijojmë punën për përshtatjen e sistemit të menaxhimit të çështjeve sipas kërkesave procedurale e penale të Gjykatës së re dhe së shpejti do dalim për median dhe publikun me faqen e re të internetit dhe logon e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Deri në daljen e kësaj faqeje, ju do të informoheni periodikisht  nga Zyra e Marrëdhënieve me Median dhe Publikun e Gjykatës.

Bashkëngjitur do të gjeni Vendimin Nr. 286, datë 18.12.2019 "Për fillimin e funksionimit të Gjykatave të Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar" të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Duke Ju falënderuar,
Zyra e Marrëdhënieve me Median e Publikun
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar