Njoftim per mediat 05.06.2024

Logo koka dokumentit

REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E POSAÇME E SHKALLËS SË PARË
PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

NJOFTIM PËR MEDIAT

  1. Kërkuesi Izmir Dahati më datën 03.06.2024, Nr. 329 Regj.Themeltar, ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Konstatimin e humbjes së fuqisë së masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
  2. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, me vendimin Nr. 329 vendosi:

  1. Pranimin e kërkesës së kërkuesit Izmir Dahati.
  2. Konstatimin e humbjes së fuqisë së masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” e parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale e caktuar ndaj kërkuesit Izmir Dahati me vendimin Nr. 499, dt. 23.08.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për shkak të kalimit të kohëzgjatjes maksimale të afateve të masës së sigurimit sipas përcaktimeve të neneve 263/1 shkronja b) dhe 267/1 të K.Pr.Penale.
  3. Caktimin ndaj shtetasit Izmir Dahati, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, e parashikuar nga neni 284/2 i K.Penal të masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale.
  4. Shtetasi Izmir Dahati detyrohet të paraqitet ne Zyrat e Policise Gjyqësore, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të hënën e parë të çdo muaji në orën 12:30.
  5. Urdhërohet policia gjyqësore dhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për zbatimin e këtij vendimi.
  6. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, afat ky që fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.

Tiranë, më datë 05.06.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar