Njoftim per mediat date 07.02.2024
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurit Safet Gjici, i akuzuar për veprën penale“Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe të pandehurës Alma Kaçi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.
2. Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Erjon Bani dhe Flojera Davidhi, me vendimin Nr. 41/128 Regjistri themeltar, datë datë 07.02.2024 vendosi:
- deklarimin fajtor të të pandehurit Safet Gjici për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal dhe bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.
- Në aplikim të nenit 406 te K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Safet Gjici me 2 (dy) vjet burgim.
- Vuajtja e dënimit për të pandehurin Safet Gjici fillon nga dita e ndalimit më datë 24.06.2023 dhe referuar ligjit nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një institucion të sigurisë së zakonshme.
- Në aplikim të nenit 35 të Kodit Penal, të pandehurit Safet Gjici i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për një periudhë prej 5 (pesë) vjetësh.
- Deklarimin fajtore të të pandehurës Alma Kaçi, lidhur me kryerjen e veprës penale “Prostitucioni” parashikuar nga neni 113 parg. 1 i Kodit Penal dhe dënimin e saj në bazë të kësaj dispozite me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
- Në aplikim të nenit 406 te K.Pr.Penale uljen e dënimit me 1/3 duke e dënuar përfundimisht të pandehurën Alma Kaçi me 1 (një) vit burgim.
- Vuajtja e dënimit për të pandehurën Alma Kaçi fillon nga dita e ndalimit më datë 24.06.2023 dhe referuar ligjit nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, duhet të kryhet në një institucion të vuajtjes së dënimit për femra.
- Lidhur me provat materiale disponohet sipas kërkesës së Prokurorisë.
- Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimit dhe ato gjatë gjykimit ju ngarkohen solidarisht të pandehurve.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar.
Tiranë, më datë 07.02.2024
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar