Vizitë studimore e organizuar nga OPDAT, me gjyqtarë dhe prokurorë në Distriktet Utah dhe Kolorado të SHBA-së, Shtator 2024
Vizitë studimore e organizuar nga OPDAT, me gjyqtarë dhe prokurorë në Distriktet Utah dhe Kolorado të SHBA-së, Shtator 2024
Nga data 21.09.2024 deri më 28.09.2024, disa nga gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, konkretisht Zv/Kryetari Erjon Bani, gjyqtarët Etleva Deda, Flora Hajredinaj, Erjon Çela, Flojera Davidhi, Rudina Palloj, Elsa Ulliri si dhe specialistja e Marrëdhënieve me Publikun, Median dhe me Jashtë, Elsa Lita patën nderin dhe kënaqësinë që të merrnin pjesë në një vizitë studimore të organizuar nga Zyra Tejoqeanike për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë (OPDAT), financuar nga Byroja Ndërkombëtare për Narkotikët dhe Çështjet e Zbatimit të Ligjit (INL), në Denver, Kolorado dhe në Salt Lake City, Utah, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo vizitë kishte si qëllim njohjen me sistemin amerikan të drejtësisë dhe shkëmbimin e ideve me gjyqtarë dhe prokurorë mbi tema të ndryshme, duke përfshirë këtu pavarësinë e gjyqësorit, korrupsionin e zyrtarëve të lartë, krimin e organizuar, etj. Vizita ishte e organizuar në 5 (pesë) ditë me vëzhgime të proceseve gjyqësore si dhe takime dhe diskutime me gjyqtarë dhe prokurorë.
Dita e parë e vizitës filloi me vëzhgimin e dy proceseve penale në Gjykatën Federale të Rrethit, në Denver, Kolorado. Më pas vijoi me një takim me Kryetarin e Gjykatës së Rrethit, si dhe me gjyqtarët e Apelit të Qarkut të Dhjetë. Gjatë këtyre takimeve u diskutua për tema si, administrimi i çështjeve gjyqësore, rëndësia e raportit të paraqitur nga oficerët e shërbimit të provës në një proces penal, korrupsioni i zyrtarëve të lartë, mënyra dhe forma se si ky lloj korrupsioni mund të ndikojë te gjyqtarët në Republikën e Shqipërisë, mbrojtja që ju ofrohet gjyqtarëve në raste kërcënimesh, si dhe impakti që ka pasur procesi i vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve në vendin tonë. Gjyqtarët e Apelit të Qarkut Dhjetë përgëzuan gjyqtarët e Gjykatave të Posaçme për integritetin, guximin dhe kurajon për të përballuar çështje gjyqësore të një rëndësie të veçantë.
Në ditën e dytë u vëzhguan disa procese gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Qarkut të Dhjetë, në Denver, Kolorado, ku u parashtruan argumente për vlefshmërinë apo pavlefshmërinë e provave të caktuara në një proces penal, marrëveshjet e pranimit të fajësisë, të drejtën e heshtjes, trafikun e lëndëve narkotike, kontrollet, etj. Më pas u vijua me një takim me prokurorë të Departamentit të Drejtësisë, më të cilët u diskutua për çëshje të ndryshme si, krimet federale, krimin e organizuar, korrupsionin, sekuestrimin e aseteve të krijuara nga veprimtari kriminale, problematikat që hasen me palët e treta, të cilat përdoren për pastrimin e parave të përftuara nga veprimtari kriminale, identifikimin dhe kapjen e transaksioneve të jashtëligjshme të parave, që kryhen në platformat online, krimin kibernetik si dhe trafikimin e lëndëve narkotike.
Në ditën e tretë delegacioni udhëtoi për në Salt Lake City, Utah, ku patën një takim të veçantë dhe shumë frymëzues me dëshmitaren viktimë Elizabeth Smart, e cila ndau me gjyqtarët përshkrimet, përjetimet dhe ndjesitë e saj, gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar përkundrejt rrëmbyesit dhe dhunuesit të saj. Në këtë takim Elizabeth Smart, e cila sot është një aktiviste e të drejtave të viktimave, përcolli mesazhe të fuqishme mbi të drejtat që u duhen dhënë viktimave në një proces penal dhe mundësinë për të filluar një jetë të re pas dënimit të dhunuesve. Gjatë këtij takimi gjyqtarët patën kënaqësinë të kishin prezent Prokuroren e SHBA Trina A. Higgins dhe Kryetarin e Gjykatës së Rrethit Robert J. Shelby.
Në ditën e katërt gjyqtarët vëzhguan disa seanca gjyqësore në Gjykatën e Rrethit të Utah. Në këto procese gjyqësore u vëzhguan seanca për caktimin e dënimit, respektimin e kushteve gjatë shërbimit të provës dhe marrëveshjet për pranimin e fajësisë. Po ashtu, gjatë kësaj dite u zhvilluan dhe takime me Kryetarin Gjykatës Robert J. Shelby, gjyqtarë dhe nëpunësin më të lartë, përgjegjës për veprimtarinë administrative në këtë gjykatë. Gjatë këtyre takimeve, gjyqtarët e Gjykatave të Posaçme u informuan mbi mënyrën e ruajtjes së të gjithë dokumentacionit të dosjeve gjyqësore që shqyrtohen në këtë gjykatë, në file (dosje) elektronike, duke u dhënë mundësinë të gjitha palëve në një proces gjyqësor që të kenë akses në këto dosje elektronike, si për të studiuar dosjet, ashtu dhe për të depozituar akte shtesë.
Në ditën e pestë dhe të fundit gjyqtarët zhvilluan një takim me prokurorë të Zyrës së Prokurorit të SHBA në Salt Lake City, Utah, ku në formë bashkëbisedimi, gjyqtarë dhe prokurorë shkëmbyen idetë e tyre për terrorizmin në nivel ndërkombëtar, krimin e organizuar në prodhimin dhe shitjen e lëndëve narkotike (kartelet), mashtrimet financiare dhe skemat piramidale, korrupsioni publik (jakat e bardha) si dhe kërkesat për ndihmë juridike të ardhur nga shtete të ndryshme. Më pas gjyqtarët vijuan me një vizitë në Gjykatën Supreme të Utah. Në thelb të diskutimeve që u zhvilluan me gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Utah ishte pavarësia e gjyqësorit, ndikimi që ka media në çështjet që paraqesin interes publik, raporti ndërmjet gjykatës dhe mediave dhe sulmet personale përkundrejt gjyqtarëve.
Në përfundim të kësaj vizite, gjyqtarët dhe Zv/Kryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shprehën mirënjohje të thellë dhe falenderime për përfaqësuesit e OPDAT-it, nën drejtimin e Z. David Backman, dhe INL, të cilët bënë të mundur organizimin e kësaj vizite studimore në SHBA, si dhe për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e Distrikteve Kolorado dhe Utah, pjesëmarrës në këtë aktivitet, të cilët treguan shumë profesionalizëm, respekt, vlerësim dhe mikpritje ndaj gjyqtarëve të Gjykatave të Posaçme, duke e shndërruar këtë vizitë në një prej eksperiencave më të vyera në karrierën e tyre profesionale.